Gërvalla: Byroja nuk konfiskon pasuri, vendimin e merr gjykata
V. Th. / RTKLive
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është proceduar për në Kuvend.
Në konferencën për media, Gërvalla tha se projektligji ka kaluar nëpër disa faza të hartimit dhe rishikimit, përfshirë vlerësimin nga Komisioni i Venecias dhe shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese.
“Projektligji që kemi dërguar në Kuvend duhet parë si rezultat i një procesi të tërë. Ai ka kaluar nëpër disa faza të hartimit dhe rishikimit, është vlerësuar nga Komisioni i Venecias, është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, është ndryshuar në bazë të gjetjeve të saj dhe është rihapur për konsultim publik”, tha Gërvalla.
Sipas saj, iniciativa për krijimin e këtij mekanizmi daton nga viti 2020 dhe synon të krijojë një instrument shtesë për trajtimin e rasteve kur ekziston mospërputhje e konsiderueshme ndërmjet pasurisë së një zyrtari publik dhe të ardhurave të tij të ligjshme.
Gërvalla tha se gjatë hartimit të projektligjit është synuar ruajtja e balancës ndërmjet interesit publik për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe mbrojtjes së të drejtave individuale.
“Që nga fillimi kemi qenë të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një mekanizëm të ri dhe të ndjeshëm, i cili duhet të vendosë balancën e duhur ndërmjet interesit publik për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe mbrojtjes së të drejtave individuale”, deklaroi ajo.
Ministrja theksoi se Byroja, sipas projektligjit, nuk do të ketë kompetencë për të marrë vendimin përfundimtar për konfiskimin e pasurisë.
“Ky ligj nuk krijon një mekanizëm penal dhe Byroja nuk konfiskon pasuri. Projektligji parashikon një procedurë civile që zhvillohet para gjykatës, me standarde të përcaktuara të provave dhe me të drejtë ankese”, tha Gërvalla.
Ajo shpjegoi se roli i Byrosë do të jetë përgatitor dhe analitik.
“Byroja ka rol përgatitor dhe analitik: ajo mbledh, analizon dhe verifikon të dhënat, dhe kur vlerëson se plotësohen kushtet ligjore, e paraqet çështjen para gjykatës”, tha ministrja.
Sipas saj, vendimin përfundimtar për konfiskimin e pasurisë do ta marrë vetëm gjykata.
“Byroja vetë nuk merr vendim për konfiskim. Vendimin përfundimtar për konfiskimin e pasurisë e merr ekskluzivisht gjykata”, theksoi Gërvalla.
Ajo tha se personi ndaj të cilit zhvillohet procedura do të ketë të drejtë të paraqesë prova, të kundërshtojë pretendimet dhe provat e paraqitura nga Byroja dhe të përdorë mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
“Personi ndaj të cilit zhvillohet procedura ka të drejtë të paraqesë provat e veta, të kundërshtojë pretendimet dhe provat e paraqitura nga Byroja dhe të përdorë mjetet juridike të përcaktuara me ligj”, tha ajo.
Gërvalla shtoi se projektligji është hartuar duke marrë parasysh Kushtetutën, standardet ndërkombëtare dhe garancitë për mbrojtjen e të drejtave.
Ajo tha se qëllimi i mekanizmit është trajtimi i rasteve të pasurisë që nuk mund të shpjegohet me të ardhurat e ligjshme, ndërsa vendimmarrja për konfiskimin do të mbetet në kompetencë të gjykatës.























