Mancini: Nuk kishte besim edhe kur fituam Evropianin
F.Bytyqi/RTKLive
Roberto Mancini ka kërkuar qetësi te Kombëtarja e Italisë në prag të përballjes me Turqinë, duke insistuar se skuadra duhet të përqendrohet te puna dhe jo te presioni që ka krijuar humbja e fundit ndaj Belgjikës.
“Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të mos ndikohemi nga tensioni që shoh përreth”, deklaroi Mancini për “Sky Sport”.
Trajneri italian u ndal edhe te humbja ndaj Belgjikës, duke pranuar se kundërshtari e meritoi fitoren.
“Futbolli përbëhet nga episode. Të premten, ndeshja mund të kishte marrë një tjetër drejtim në pjesën e dytë, por Belgjika fitoi me meritë. Duhet t’u japim kohë lojtarëve të rinj. Romano më pëlqeu, bëri një ndeshje të mirë, pavarësisht gabimeve që mund t’i bëjë çdokush”, u shpreh ai.
Mancini paralajmëroi gjithashtu ndryshime në formacion për sfidën ndaj Turqisë, duke theksuar se ritmi i ngjeshur i ndeshjeve e bën të domosdoshëm rotacionin.
“Me Turqinë kemi mundësinë të ndryshojmë disa gjëra dhe edhe disa lojtarë, sepse në këtë nivel nuk mund të luash katër ndeshje kaq shpejt. Montella ka një ekip shumë të fortë, me shumë talente, ndaj do të jetë një ndeshje e vështirë”, theksoi trajneri.
I pyetur për presionin pas humbjes ndaj Belgjikës, Mancini e minimizoi rëndësinë e tij.
“Presion pas humbjes kundër Belgjikës? Aspak. Është një ndeshje futbolli. Nesër do të përpiqemi të luajmë mirë dhe të fitojmë”, deklaroi ai për “Rai Sport”.
Në fund, trajneri italian kujtoi edhe periudhën kur Italia triumfoi në Kampionatin Evropian, duke theksuar se edhe atëherë skuadra nuk konsiderohej ndër favoritët kryesorë.
“Nuk kishte shumë besim edhe kur fituam Kampionatin Evropian. Nuk konsideroheshim mes gjashtë apo shtatë skuadrave më të mira. Thjesht duhet të punojmë dhe t’u japim lojtarëve të rinj pak kohë”, përfundoi Mancini.























