Messi shkëlqen, por Inter Miami pëson humbje dramatike ndaj Columbusit
BKT
Sport

Messi shkëlqen, por Inter Miami pëson humbje dramatike ndaj Columbusit

F.B/RTKLive

Lionel Messi shënoi një gol të bukur nga goditja e dënimit, por as paraqitja e tij nuk mjaftoi për ta shpëtuar Inter Miamin nga humbja ndaj Columbus Crew në Major League Soccer.

Columbusi triumfoi 2:1 të dielën, duke e siguruar fitoren në minutat shtesë të ndeshjes.

Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 28-të, kur Josef Martinez realizoi nga pika e bardhë.

Megjithatë, reagimi i Inter Miamit ishte i menjëhershëm. Messi ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi në minutën e 33-të, duke barazuar rezultatin.

Ky ishte goli i 21-të i argjentinasit në sezonin e rregullt të MLS-së.

Messi pati mundësinë ta përmbyste rezultatin në minutën e 62-të, kur depërtoi bukur dhe goditi drejt portës, por portieri Patrick Schulte intervenoi për ta devijuar topin mbi traversë.

Pak çaste më vonë, Inter Miami mendoi se kishte kaluar në epërsi. David Ayala doli i vetëm përballë portës dhe realizoi, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Në anën tjetër, Columbus ishte gjithashtu i rrezikshëm. Anass Zaroury goditi dy herë shtyllën, ndërsa një nga tentimet e tij spektakolare nga distanca përfundoi në pjesën e poshtme të traversës.

Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, Columbus gjeti golin e fitores në minutat shtesë.

Brais Mendez goditi nga jashtë zonës, ndërsa portieri i Inter Miamit, Rocco Rios Novo, nuk arriti ta kontrollonte topin. Më së shpejti reagoi zëvendësuesi senegalez Jamal Thiare, i cili e dërgoi topin në rrjetë për 2:1.

Kjo humbje është një goditje tjetër për Inter Miamin në garën për kreun e Konferencës Lindore. Skuadra e Messit tashmë është 14 pikë prapa liderit Nashville, ndërsa me 46 pikë është e barabartë me New England Revolution në vendin e dytë.

Columbus, ndërkohë, vazhdon garën për një vend në play-off. Crew renditet në vendin e 12-të me 29 pikë, katër më pak se pozitat që sigurojnë pjesëmarrjen në fazën pas sezonit.