Sonte San Marino-Shqipëria, kuqezinjtë synojnë fitoren e dytë
F.B/RTKLive
Kombëtarja e Shqipërisë zbret sonte në fushë për ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve, ku do të përballet me San Marinon në transfertë.
Sfida do të zhvillohet në orën 20:45, ndërsa kuqezinjtë vijnë pas fitores 2-0 ndaj Bjellorusisë në “Air Albania”.
Në letër, Shqipëria është favorite e qartë përballë San Marinos, por për skuadrën e Rolando Maranit kjo sfidë kërkon përqendrim maksimal. Përveç tri pikëve, kuqezinjtë synojnë edhe një fitore sa më të thellë, pasi golavarazhi mund të ketë peshë të rëndësishme në fund të garës.
Rivali kryesor i Shqipërisë për kreun e grupit, Finlanda, e ka mposhtur San Marinon me rezultat 7-0. Për këtë arsye, kuqezinjtë kërkojnë të shënojnë sa më shumë gola, në mënyrë që të mos humbasin terren në luftën për vendin e parë.
Trajneri Rolando Maran pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar, duke synuar të menaxhojë ngarkesën e disa lojtarëve, por edhe t’u japë mundësi futbollistëve të tjerë. Megjithatë, ndryshimet nuk pritet të ndikojnë në objektivin kryesor, fitoren.
Në portë pritet të jetë sërish Etrit Berisha, ndërsa në repartin defensiv mund të ketë lëvizje. Hysaj dhe Pilo mund ta nisin ndeshjen nga stoli, me Sinën dhe Mitajn që pritet të marrin vendet e tyre. Për Samuele Sinën, kjo do të ishte debutimi me fanellën e Kombëtares shqiptare. Në qendër pritet të vazhdojnë kapiteni Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli.
Në mesfushë, Ylber Ramadani mund të pushojë, ndërsa vendin e tij pritet ta marrë Klaus Gjasula, i cili do të rreshtohej përkrah Kristjan Asllanit. Ernest Muçi pritet të ketë sërish një rol të rëndësishëm pas paraqitjes së mirë dhe golit të shënuar ndaj Bjellorusisë.
Në krahun e majtë të sulmit, Arbër Hoxha mund t’ia lërë vendin Ernest Mehmeti, ndërsa në majë të sulmit pritet të startojë Rey Manaj, i cili shihet si favorit përpara Mirlind Dakut.
Shqipëria synon kështu të marrë tri pikë të tjera dhe të vazhdojë garën për kreun e grupit, ndërsa një rezultat pozitiv i shoqëruar me sa më shumë gola do t’i jepte kuqezinjve avantazh të rëndësishëm në llogaritjet e mëvonshme.























