Diplomacia amerikane në Ballkan, lobistët e gazit dhe pretendimet për presion
Dardan Ramabaja/RTKlive
Një raportim i The Wall Street Journal ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si administrata amerikane po promovon gazin natyror të lëngshëm (LNG) amerikan në Evropën Juglindore. Në qendër të vëmendjes janë ambasadorja amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, një lobist grek-amerikan i sektorit energjetik dhe një deklaratë e pretenduar për mundësinë e rrëzimit të qeverive.
Sipas WSJ-së, Guilfoyle ka luajtur rol aktiv në përpjekjet amerikane për t'i bindur vendet e Ballkanit dhe të Evropës Lindore të blejnë LNG amerikan. Ai do të hyjë në Evropë përmes Greqisë dhe më pas do të transportohet drejt vendeve të tjera përmes të ashtuquajturit "Vertical Gas Corridor".
Në qendër të raportimit është edhe Christos Marafatsos, lobist i kompanisë greke Aktor Group. Sipas WSJ-së, ai e ka shoqëruar shpesh ambasadoren në takime zyrtare, madje disa zyrtarë të huaj e kanë marrë për shefin e saj të stafit (Greek City Times, Novinite).
Aktor Group është përfshirë fuqishëm në projekte të infrastrukturës energjetike në rajon. Së bashku me DEPA Commercial, degën tregtare të korporatës shtetërore greke të gazit, ka formuar sipërmarrjen e përbashkët Atlantic-SEE LNG Trade, për importimin e LNG-së amerikane dhe shpërndarjen e saj në Evropën Qendrore e Lindore.
Në qershor, Reuters raportoi se kjo sipërmarrje e zgjeroi marrëveshjen me kompaninë amerikane Venture Global, duke e dyfishuar furnizimin në të paktën një milion ton LNG në vit, për 20 vjet, nga viti 2030 (komunikata e Venture Global).
Darka në Athinë
Pjesa më e debatueshme e raportimit lidhet me një darkë të zhvilluar në Athinë në mars. Sipas personave të cituar nga gazeta, pretendohet se gjatë një diskutimi me ministrin grek të Energjisë dhe Mjedisit, Stavros Papastavrou, Guilfoyle foli për rënien e afërt të qeverisë rumune dhe tha:
"Këtë mund ta bëjmë me çdo shtet që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu."
Sipas raportimit, ministri e kundërshtoi duke i thënë se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta zëvendësojnë qeverinë greke, të zgjedhur nga qytetarët. Këto fjalë i atribuohen një personi që ishte i pranishëm në darkë dhe të tjerëve që u njoftuan për bisedën (Political Wire).
Ky version i ngjarjes është kundërshtuar. Avokati i Guilfoyle e ka kontestuar mënyrën se si WSJ e ka paraqitur bisedën, ndërsa qeveria greke ka mohuar se ka pasur kërcënim ndaj saj. Zëdhënësi Pavlos Marinakis deklaroi të hënën se "nuk ka pasur kurrë çështje të një kërcënimi ndaj qeverisë greke" dhe se një gjë e tillë nuk do të toleroheshin.
Ai theksoi se Greqia dhe SHBA-ja kanë marrëdhënie strategjike dhe se "nuk ka shantazh politik për LNG-në amerikane" (Anadolu).
Raportimi ka shkaktuar edhe reagime nga opozita greke, e cila ka kërkuar shpjegime nga qeveria për atë që pretendohet të jetë thënë gjatë darkës (Ekathimerini, ProtoThema).
Pse kjo çështje është e rëndësishme për Ballkanin?
Në sfond të kësaj historie qëndron një projekt shumë më i gjerë energjetik. SHBA-ja po promovon fuqishëm eksportin e LNG-së amerikane në Evropën Juglindore, ndërsa Greqia synon të bëhet një pikë kryesore hyrëse për këtë gaz. Përmes "Vertical Gas Corridor", gazi mund të transportohet nga Greqia drejt Bullgarisë, Rumanisë dhe më tej në Evropën Qendrore e Lindore (To Vima).
Po Kosova?
Çështja e gazit amerikan përmes Greqisë është diskutuar edhe në Kosovë. Ndryshe nga pretendimet për bisedën në Athinë, në burimet publike të shqyrtuara nuk ka dëshmi që Ambasada amerikane t’i ketë paraqitur Qeverisë së Kosovës një kërcënim ose ultimatum të ngjashëm me episodin që pretendohet në raportimin e WSJ-së për Athinën.
Ambasada e ka nxitur hapur Kosovën drejt LNG-së amerikane. Për Radion Evropa e Lirë kishte thënë se SHBA-ja është e gatshme të punojë me qeverinë për diversifikim, përfshirë LNG-në amerikane (REL), ku e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, e kishte inkurajuar Kosovën të hynte në partneritet afatgjatë energjetik përmes LNG-së.
Ndërkohë, presioni që Kosova të angazhohet për gazin amerikan ka ardhur më shumë nga aktorë politikë vendorë, përfshirë opozitën. Ndërsa gjatë diskutimeve politike dhe fushatës së fundit zgjedhore në Kosovë, pranimi dhe zbatimi i projektit të gazit amerikan (LNG) u vendos si një kusht i panegociueshëm dhe "vijë e kuqe" për hyrjen në çdo koalicion të ardhshëm qeverisës nga partitë kryesore opozitare, veçanërisht nga LDK. Kurse AAK-ja projektin e gazit amerikan e kishte vendosur si një nga 6 kërkesat për ta votuar presidentin.
Qeveria në detyrë e ka përkrahur gazifikimin e thëngjillit, ndërsa partitë opozitare kanë vazhduar të bëjnë thirrje që Kosova t'i bashkohet nismës amerikane për LNG. Thirrje të tilla kanë ardhur edhe nga odat ekonomike.
Projekti rajonal për transportimin e LNG-së amerikane përmes Greqisë synon pikërisht zgjerimin e tregut të gazit amerikan në Evropën Juglindore e më tej. Sipas Reuters, marrëveshja që shërben si pikë reference në këtë sektor parashikon furnizim me të paktën një milion ton LNG në vit nga SHBA-ja, nga viti 2030, me shpërndarje përmes Vertical Corridor.























