Vazhdohet bashkëpunimi për përfundimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë
Medina Pasoma / RTKlive
Delegacioni nga Fondi Saudit për Zhvillim ka vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës për kompletimin e rrugës nacionale Prishtinë – Mitrovicë, përkatësisht vazhdimin e punimeve në segmentin nga fshati Smrekonicë.
“Sipas kësaj marrëveshjeje, Fondi Saudit për Zhvillim do ta financojë prej 43 milionë rialë sauditë apo 12.3 milionë euro, ndërsa Republika e Kosovës do të kontribuojë me 3.7 milionë euro, pra gjithsej projekti 16 milionë euro. Ky segment është pjesa përfundimtare e rrugës Prishtinë - Mitrovicë, pra segmenti prej 5 kilometrave dhe për këtë ndërtim do të kemi një rrugë moderne me nga dy korsitë në secilin drejtim, korsitë emergjente, 4 kryqëzime kryesore, sistem të rregulluar të kullimit dhe elemente të tjera të nevojshme të sigurisë rrugore”, ka njoftuar ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.
Basha më tej njoftoi se procesi është përfundim të fazës së përgatitjes së elaboratit të shpronësimit, ndërkaq do të vazhdohet me procedurat e tenderimit për realizimin e këtij segmenti përfundimtar që lidh Prishtinën me Mitrovicën.
Sultan Al-Marshad nga Fondi Saudit për Zhvillim tha se janë krenarë për partneritetin me Kosovën dhe theksoi se duan ta vazhdojnë këtë bashkëpunim. Ai përmendi një projekt në fushën e shëndetësisë.
“Kemi diskutuar gjithashtu për një projekt shumë të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë. Mezi presim që së shpejti të nënshkruajmë këtë marrëveshje kredie për financimin e këtij projekti, ndoshta në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, por shpresojmë që ta nënshkruajmë shumë shpejt me vëllezërit tanë në Ministrinë e Financave dhe me ministritë e tjera”, ka thënë ai.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ky projekt përfshin ndërtimin e një spitali të ri të pulmologjisë.
“Do të jetë spitali i ri i pulmologjisë apo mushkërive, i cili parasheh pra financim në vlerë prej 20 milionë dollarëve në mënyrë pra që të sigurohet një hapësirë moderne me teknologjinë më të fundit në hapësirat e QKUK-së. Pra aty parashihet që të bëhet ndërtimi, por edhe për këtë nëse ka nevojë për detaje shtesë, ministri Vitia”, tha ai.























