A do të rikthehet Bayerni në garë për Wirtz? Flet Rummenigge
F.Bytyqi/RTKLive
Anëtari i bordit mbikëqyrës të Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, ka komentuar situatën e Florian Wirtzit te Liverpooli, duke lënë të kuptohet se një rikthim i klubit bavarez në garë për mesfushorin gjerman nuk është aktualisht në plan.
Wirtz iu bashkua Liverpoolit në vitin 2025 nga Bayer Leverkuseni për një shumë prej rreth 116 milionë paundësh. Edhe pse ka shfaqur momente të nivelit të lartë, 23-vjeçari ka hasur vështirësi për t’u përshtatur plotësisht në “Anfield”.
Në sezonin e tij të parë, Wirtz realizoi shtatë gola dhe dhuroi tetë asistime në 49 paraqitje. Megjithatë, këtë sezon ende nuk ka gjetur rrjetën në Premier League.
Rummenigge u pyet nëse Bayern mund të rikthejë interesimin për reprezentuesin gjerman, por ai e konsideroi një skenar të tillë pak të mundshëm.
“Fillimisht, kjo nuk është puna ime. Duhet të mos harrojmë se Jamal Musiala dhe Serge Gnabry luajnë në atë pozitë, ndërsa kemi edhe alternativa të tjera, si Ismael Saibari. Nuk ka nevojë të blejmë një lojtar të katërt për shumën që Wirtz me shumë gjasë do të kushtonte”, deklaroi Rummenigge.
Ai gjithashtu pranoi se te Bayern kishin pasur pritshmëri të tjera për aventurën e Wirtzit në Angli.
“Për të qenë i sinqertë, po. Ne kishim përshtypjen se ai po shkonte te Liverpooli sepse trajneri i atëhershëm, Arne Slot, i kishte premtuar pozitën numër 10, të cilën e kishte luajtur edhe te Leverkuseni. Ky ishte një faktor i rëndësishëm në vendimin e tij”, tha ai.
Rummenigge shtoi se edhe në aspektin financiar nuk kishte dallime të mëdha mes ofertave dhe se Bayern e kishte respektuar zgjedhjen e futbollistit.
I pyetur nëse mund të ketë një mundësi për Wirtzin në të ardhmen, Rummenigge la gjithçka të hapur, por theksoi se nuk e di nëse lojtari është i lumtur në “Anfield”.
“Pyetja është nëse Wirtz është i lumtur te Liverpooli. Unë nuk mund ta gjykoj këtë. Uli Hoeneß dhe unë kemi qenë në kontakt me babanë dhe nënën e tij për një kohë. Më pas ata morën një vendim tjetër dhe ne e respektuam atë”, përfundoi Rummenigge.























