Jesus dhe presidenti i Federatës së Portugalisë provuan ta bindin Ronaldon
BKT
Sport

Jesus dhe presidenti i Federatës së Portugalisë provuan ta bindin Ronaldon

UK/RTKLive.com

Përzgjedhësi i Portugalisë, Jorge Jesus, dhe presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, kanë shkuar në aeroportin e Kopenhagës në përpjekje për ta bindur Cristiano Ronaldon të mos largohej nga grumbullimi i kombëtares, ka raportuar gazeta spanjolle “Marca”.

Ronaldo ka njoftuar të mërkurën përmes rrjeteve sociale se po largohej nga grumbullimi i Portugalisë në Danimarkë, pas një bisede me Proença. Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje edhe për të ardhmen e tij me kombëtaren portugeze.

Portugalia të enjten do të përballet me Danimarkën në Kopenhagë, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Rekordmeni i Portugalisë për numrin e golave me kombëtaren ka thënë se arsyet e largimit do t’i bëjë të ditura në kohën e duhur. Federata Portugeze e Futbollit ka konfirmuar se sulmuesi dyzet e një vjeçar është larguar nga grumbullimi.

Ronaldo ishte paraparë të stërvitej të mërkurën me skuadrën në stadiumin “Parken”, por është larguar para fillimit të seancës.

Sipas “Marca”, ai është kthyer në hotelin e skuadrës, ka marrë gjërat e tij personale dhe më pas është nisur drejt aeroportit, prej nga ka planifikuar të udhëtojë me një fluturim privat drejt Madridit.

Jesus dhe Proença e kanë ndjekur atë deri në aeroport, në përpjekje për ta bindur që të qëndronte në Kopenhagë, por nuk kanë arritur ta ndryshojnë vendimin e tij, ka raportuar gazeta spanjolle.

Sipas rregullores disiplinore të Federatës Portugeze të Futbollit, lojtarët e kombëtares që largohen pa leje mund të përballen me pezullim prej një deri në gjashtë muaj nga përfaqësuesja.

Federata Portugeze e Futbollit nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës së Reuters për koment lidhur me raportimin e “Marca”.

Vetëm disa orë më herët, Jesus kishte thënë se Ronaldo do të merrte pjesë në stërvitjen e së mërkurës dhe kishte mohuar se kishte ndonjë problem mes tyre.

Megjithatë, ai ka konfirmuar se të martën ka zhvilluar një bisedë private me Ronaldo, pasi sulmuesi i Al Nassr nuk ka luajtur në fitoren dy me një të Portugalisë ndaj Norvegjisë të dielën.

Jesus ka thënë se Ronaldo ishte i zemëruar me të, por sipas tij, për këtë çështje gjithçka ka kaluar.