Islami: BIA po tenton të krijojë “balancë artificiale” ndaj AKI-së
A.B/RTKLive
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar lidhur me arrestimin e dy pjesëtareve të komunitetit serb në Serbi, të cilat dyshohet se janë arrestuar nën dyshimet për spiunazh. Në një status të publikuar në Facebook, Islami ka shkruar se sa më shumë që afrohen zgjedhjet në Serbi, aq më shumë Kosova po shndërrohet në një temë të rëndësishme të debatit politik në Beograd.
Sipas tij, përdorimi i Kosovës në fushatat politike në Serbi këtë herë është shoqëruar edhe me përfshirjen e aparatit të sigurisë.
Islami pretendon se arrestimi i dy qytetareve serbe në Vranjë dhe Jagodinë mund të jetë një përpjekje e Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA) për të rikuperuar reputacionin përballë Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Gjatë vitit të kaluar dhe përgjatë këtij viti, inteligjenca serbe (BIA) ka pësuar dështime të njëpasnjëshme operative në raport me AKI-në në Kosovë”, ka shkruar Islami.
Ai pretendon, duke iu referuar burimeve që i quan të sektorit të sigurisë, se BIA ka humbur një numër të bashkëpunëtorëve dhe agjentëve në Kosovë, të cilët, sipas tij, janë zbuluar nga institucionet kosovare të inteligjencës.
Sipas Islamit, kjo situatë ka krijuar një krizë kredibiliteti për strukturat e sigurisë në Beograd.
Duke iu referuar raportimeve të mediave serbe dhe agjencisë Tanjug, Islami shkruan se dy të arrestuarat dyshohet se kanë grumbulluar dhe dorëzuar të dhëna për pjesëtarë aktivë të BIA-s te strukturat e inteligjencës së Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai veçon edhe faktin se njëra prej të arrestuarave, sipas tij, është me origjinë nga Shillova e Gjilanit, duke vlerësuar se shtrirja e operacionit në Vranjë i jep rastit një dimension të ndjeshëm të sigurisë në brezin kufitar Serbi-Kosovë.























