Protestuesit para kuvendit, kërkojnë votimin e ligjit pa vonesë
Sh.Ç/RTKlive
(E plotësuar) Protestuesit te ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, kanë kërkuar nga deputetët miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Votoni ligjin”, është kërkesa kryesore e protestuesve, të cilët gjatë marshimit po brohorasin dhe mbajnë pankarta e simbole të UÇK-së.
Protestuesit kanë lexuar një nga një emrat e 110 deputetëve të Kuvendit, duke u bërë thirrje që të veprojnë dhe ta votojnë projektligjin.
Protesta është zhvilluar në kohën kur, sipas tyre, kanë mbetur edhe tri ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit. Ata kanë kërkuar që deputetët të mos e shtyjnë më tej votimin e ndryshimeve ligjore.
Çlirim Haziri, ka thënë se identitet kombëtar, gjaku i dëshmorëve e UÇK-ja, është në tavolinën e Kuvendit.
‘’Sepse kërkesa jonë e 18 dite, identiteti jonë kombëtar sot ndodhet në tavolinën e këtij Kuvendi. Gjaku i dëshmorëve, UÇK-ja sot është në tavolinën e këtij kuvendi. Ne sot kemi ardh këtu për të iu thënë votojeni ligjin. Nuk do të mundin ta vendosin këtë ligj në bankën rezervë të politikës për politikat e tyre ditore e për pazare për president. Nuk do të ketë Kosova president të zgjedhur në krah të UÇK’së”, ka deklaruar ai.
Protesta vazhdon për të 18-tën natë në Prishtinë
Qytetarë të shumtë janë mbledhur të shtunën mbrëma në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke vazhduar protestat kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Ky është tubimi i 18-të i organizuar radhazi në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit. Protestuesit e konsiderojnë vendimin të padrejtë dhe kërkojnë ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Gjatë ditës, platforma “Liria ka emër” zhvilloi një aksion para Kuvendit të Kosovës, ku u bë thirrje deputetëve që të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e ndryshimeve ligjore.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.
Ndërkohë, më 2 tetor, Qeveria e Kosovës deklaroi se nisma e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk përballet me pengesa ligjore.
Ndryshimet e propozuara ende nuk janë miratuar në Kuvend. PDK-ja, ndërkohë, ka bërë të ditur se mbështetjen për zgjedhjen e presidentit e lidh me miratimin e këtyre ndryshimeve.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor.























