Kuvendi miraton në lexim të parë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara
N.M. /RTKlive
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji është miratuar me 91 vota për, ndërsa në votim nuk ka marrë pjesë Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nisma për ndryshimin e ligjit është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa pak para fillimit të seancës, Komisioni për Legjislacion e kishte miratuar unanimisht projektligjin, me nëntë vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime.
Kryeministri Albin Kurti tha se ndryshimet duhet të trajtohen me kujdes dhe jo me nguti, por bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë projektligjin. Ai tha se LVV-ja nuk është e bindur për dobishmërinë e tij, por nuk do ta pengojë miratimin në lexim të parë.
“Ne nuk jemi të bindur për dobinë e këtij ligji. E dimë që ju besoni në të dhe ne duam të besojmë besimin tuaj”, tha Kurti.
Kurti theksoi se beteja juridike për rastet në Hagë duhet të zhvillohet përmes apelit dhe një strategjie shtetërore e kombëtare.
“Të nderuar kolegë nga Qeveria dhe deputetë të Kuvendit, adresë e fitores është Apeli. Aty dilet triumfues. E për fitore nevojitet organizim dhe strategji”, tha Kurti.
Ai tha se mbështetja për projektligjin duhet të shërbejë si pikënisje për një strategji të përbashkët për rastet në Hagë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se çështja e Dhomave të Specializuara lidhet me historinë dhe të ardhmen e Kosovës. Ai tha se nuk po kërkojnë mbylljen e Gjykatës Speciale, por llogaridhënie.
“Nuk po kërkojmë ta mbyllim Gjykatën, po kërkojmë llogaridhënie”, tha Hamza.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se me ndryshimet e propozuara synohet që krimet e luftës të hetohen dhe gjykohen në Kosovë, ndërsa Dhomat e Specializuara të vazhdojnë të kenë kompetencë për pretendimet për trafikim organesh.
Sipas Grudës, ndryshimet nuk prekin Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa kompetencat për krimet e luftës do t'u ktheheshin institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Në anën tjetër, LDK-ja nuk e mbështeti nismën. Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, tha se një aktgjykim mund të ndryshohet vetëm përmes rrugës gjyqësore dhe mjeteve juridike të përcaktuara me ligj.
“Për LDK-në, rruga e vetme për ta ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore përmes apelit dhe shterimit të mjeteve juridike të parapara me ligj”, tha Lushaku Sadriu.
Ajo paralajmëroi edhe për pasoja të mundshme juridike, politike dhe ndërkombëtare nga ndryshimi i ligjit dhe kërkoi koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë.
Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se LVV-ja ishte kundër themelimit të Dhomave të Specializuara dhe se të njëjtin qëndrim e ka edhe sot, por deklaroi se do ta mbështesë këtë përpjekje.
“Apeli duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh. Pasojat e këtij procesi kanë shkuar përtej sallës së gjyqit. Ndryshimi i ligjit sot nuk e zhbën këtë dëm. UÇK-ja nuk mund të identifikohet me këtë lloj aktgjykimi”, tha Nagavci.
Në votimin për shmangien e procedurave të rregullta për miratimin e projektligjit, deputetët e LDK-së nuk morën pjesë.
Në seancë nuk morën pjesë as deputetët e Listës Serbe, ndërsa nuk ishin të pranishëm as deputeti Lazar Raduloviq dhe ministri Nenad Rashiq.
Kuvendi miraton në lexim të parë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Është votuar me 91 vota për në lexim të parë Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Specialen.
Në votim nuk ka marrë pjesë Grupi Parlamentar i LDK-së.
Pak para fillimit të seancës, Komisioni për Legjislacion e ka miratuar unanimisht projektligjin. Për ndryshimin e ligjit kanë votuar nëntë deputetë, ndërsa nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Nisma për ndryshimin e ligjit është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Projektligji është pika e parë e rendit të ditës në seancën e sotme.
Kuvendi shqyrton ndryshimin e Ligjit për Specialen|LIVE
(E plotësuar) Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në sallë janë të pranishëm deputetët e të gjitha grupeve parlamentare, me përjashtim të deputetëve të Listës Serbe. Deputetët e LDK-së kanë hyrë të fundit në sallë.
Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës, duke folur për propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, tha se kërkojnë ndryshimin e juridiksionit për një pjesë të funksionimit të saj, duke mundësuar hetimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Kurse deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se çështja e Gjykatës Speciale do të duhej të zgjidhej në pranverën e vitit 2015. Ajo ka deklaruar se LVV-ja ishte kundër Speciales dhe të njëjtin qëndrim e ka edhe sot.
Deputetët e LDK-së nuk kanë marrë pjesë në votimin e propozimit për shmangien e procedurave të rregullta për miratimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë në Kuvend se vendimi dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është ofendim për popullin e Kosovës dhe institucionet e vendit. aI tha se Kosova nuk duhet të ndihet në faj për miratimin e ligjit të propozuar, ndërsa kërkoi që Kuvendi ta miratojë atë në dy lexime brenda ditës.
Në seancën ku po shqyrtohet projektligji, përveç deputetëve të Listës Serbe, nuk po merr pjesë as deputeti i partisë së ministrit Nenad Rashiq.
Pak para fillimit të seancës, Komisioni për Legjislacion e ka miratuar unanimisht projektligjin. Për ndryshimin e ligjit kanë votuar nëntë deputetë, ndërsa nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Projektligji është pika e parë e rendit të ditës në seancën e sotme.
Sot seanca e Kuvendit, në rend dite edhe Ligji për Dhomat e Specializuara

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, më 5 tetor 2026, seancë të jashtëzakonshme plenare, duke filluar nga ora 09:00. Në njoftimin e Kuvendit bëhet e ditur se në rendin e ditës janë 22 pika, ndër to ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, marrëveshje financiare, zgjedhje në borde dhe institucione, si dhe projektligje nga fusha e drejtësisë, energjisë, inovacionit dhe buxhetit.
Pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në seancë do të shqyrtohet edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Në njoftimin e Kuvendit bëhet e ditur se do të shqyrtohen edhe ndryshimet e marrëveshjeve financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programet IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshja Financiare për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Në rendin e ditës janë edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, zgjedhja e kryesuesit të këtij bordi, zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës dhe përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe Projektligjin për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në rend dite janë edhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.
Po ashtu, do të shqyrtohen projektligjet për Energjinë, Energjinë Elektrike, Inovacionin dhe Ndërmarrësinë, pagesat e vonuara në transaksionet tregtare, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 dhe Projektligji për Menaxhimin e Resurseve Ujore.
Para seancës plenare, Komisioni për Legjislacion do të mblidhet në orën 08:00 për të shqyrtuar projektligjin. Këtë e ka konfirmuar kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli.























