Milani kërkon Endrickun, braziliani mund të largohet nga Reali
F.B/RTKLive
Milani raportohet se po përgatit një lëvizje për afatin e janarit dhe në qendër të vëmendjes është Endrick.
Sulmuesi brazilian vazhdon të ketë vështirësi për të gjetur hapësirën e nevojshme te Real Madridi, ndërsa një transferim i përkohshëm në Itali po shihet gjithnjë e më shumë si një mundësi konkrete.
Endrick ka nevojë për minuta dhe statistikat e tij e tregojnë qartë këtë. Gjatë gjashtë muajve të huazimit te Lyoni, braziliani shënoi më shumë gola sesa kishte realizuar në dy vjet e gjysmë me fanellën e Real Madridit.
Milani e kishte kërkuar Endrickun edhe në fund të gushtit, por atëherë Jose Mourinho vendosi ta mbante në skuadër. Megjithatë, situata nuk ka ndryshuar ndjeshëm dhe konkurrenca në repartin ofensiv të Realit mbetet e madhe.
Vinicius Junior, Kylian Mbappe, Brahim Diaz dhe Diomande janë përpara tij në hierarki, çka e bën të vështirë që braziliani të marrë minutat që kërkon.
Qëndrimi i Real Madridit, sipas raportimeve, është i qartë: nëse Endrick largohet në janar, kjo mund të ndodhë vetëm në formën e huazimit.
Kjo formulë do t'i përshtatej Milanit, i cili do të mund ta afronte brazilianin për pjesën e dytë të sezonit. Në “San Siro”, Endrick do të kishte mundësi të aktivizohej në disa role në sulm, qoftë në mbështetje të Ramosit, në krah të Pulisic, apo edhe si qendërsulmues dhe sulmues i dytë.
Një faktor që mund të ndihmojë në realizimin e marrëveshjes janë edhe raportet mes pronarit të Milanit, Gerry Cardinale, dhe Roc Nation Sports, agjencisë që menaxhon interesat e Endrickut. Kompania, e themeluar nga reperi amerikan Jay-Z, përfaqëson një numër të konsiderueshëm sportistësh të nivelit të lartë.
Për më tepër, marrëdhëniet historikisht të mira mes Milanit dhe Real Madridit mund të lehtësojnë negociatat mes dy klubeve.
Endrick thuhet se është i hapur ndaj një transferimi në Milano, ndërsa afati kalimtar i janarit mund të jetë momenti kur braziliani të kërkojë një sfidë të re për të rifituar vazhdimësinë dhe për të treguar vlerat e tij në një nga kampionatet më të forta të Evropës.
Nëse kushtet plotësohen, Endrick mund të jetë një nga emrat më interesantë të transferimeve të dimrit dhe fanella kuqezi mund të jetë destinacioni i tij i radhës.























