Nga Infantino te Milani dhe Sucic, rrëfehet Boban
BKT
Sport

Nga Infantino te Milani dhe Sucic, rrëfehet Boban

F.B/RTKLive

Zvonimir Boban ka folur hapur për disa prej çështjeve më të diskutuara të futbollit ndërkombëtar, duke komentuar zgjedhjet në FIFA, të ardhmen e Kupës së Botës, situatën te Milani dhe minutazhin e Petar Sucic te Interi.

Ish-mesfushori i Milanit dhe në një intervistë për “Radio Anch’io Sport”, dha një vlerësim të drejtpërdrejtë për zhvillimet aktuale në futboll.

Duke folur për raportet mes FIFA-s dhe UEFA-s, Boban beson se përplasjet mes dy institucioneve nuk do të përshkallëzohen.

“Besoj se në fund gjithçka do të qetësohet. Askush nuk do të bëjë luftë me askënd. Pavarësisht disa gabimeve, për të cilat edhe unë e kam kritikuar, nuk mund të mohojmë gjërat e mira që ka bërë Infantino. Në fund do të votohet për të”, deklaroi kroati.

Sipas Bobanit, presidenti aktual i FIFA-s nuk duket se ka një rival serioz për zgjedhjet.

“Nuk mendoj se do të ketë opozitë, por edhe nëse do të ketë, nuk do të ketë forcën për ta mundur. Ai ka kontrolluar Azinë, ndërsa Amerika e Jugut dhe Afrika kanë mbetur me të. Europa nuk besoj se është aq homogjene sa mendohet. Pastaj është gjithmonë dëshira e UEFA-s për të treguar se është më e fortë se FIFA. Por FIFA është ajo që qeveris”, u shpreh Boban.

Kroati komentoi edhe mundësinë e zgjerimit të Kupës së Botës në 64 skuadra, duke theksuar se rritja e numrit të pjesëmarrësve nuk do të ishte domosdoshmërisht problem.

“Loja nuk duhet të humbasë. Kemi një Evropian me 24 skuadra nga 55 federata dhe një Botëror çdo katër vjet me 48 skuadra nga 211 federata. Nuk mendoj se do të zgjerohet në 64 skuadra, por nuk do të ishte dramë nëse ndodh”, tha ai.

“Është bukur të shohësh kombet e vogla të rriten, të marrin pjesë dhe të argëtohen. Nuk e shoh si problem që të kemi më shumë skuadra”, shtoi Boban.

Duke kaluar te Milani, një klub me të cilin ka lidhje të veçantë, Boban ishte i qartë se objektivat e “Rossonerëve” duhet të jenë më të mëdha sesa thjesht sigurimi i një vendi në Champions League.

“Nuk mund të jemi mediokër. Nëse çdo vit pranojmë se ambicia më e madhe është të shkojmë në Champions, atëherë do të thotë se nuk kam kuptuar asgjë nga Milani”, theksoi ai.

Boban foli edhe për punën e Ruben Amorimit, duke pranuar se është ende herët për të nxjerrë përfundime.

“Amorim? Është ende herët, por mua nuk më pëlqen asnjëherë kur luan me tre mbrojtës. Me Leccen shkoi më mirë se në ndeshjet e tjera, por jemi vetëm në fillim të procesit dhe duhet t’i japim pak kohë. Duhet të bindë me rezultate”, tha kroati.

Në fund, Boban ndaloi te situata e Petar Sucic te Interi, për të cilin ka një vlerësim maksimal.

“Mendoj se duhet të ketë më shumë hapësirë. Është një lojtar i kompletuar, i jashtëzakonshëm, me shumë klas dhe shumë kurajë. Kuptohet që nuk ndihet mirë. Nëse vazhdon kështu, nuk e di çfarë kuptimi ka që të qëndrojë te Interi”, deklaroi Boban.