Messi për lamtumirën nga Argjentina: Dita më e trishtuar e karrierës sime
F.B/RTKLive
Lionel Messi i ka dhënë lamtumirën Kombëtares së Argjentinës pas 21 vitesh, duke e përshkruar ndeshjen e fundit me fanellën bardhekaltër si “ditën më të trishtuar” të karrierës së tij.
Kapiteni i “Albiceleste” e mbylli aventurën ndërkombëtare me një paraqitje spektakolare, duke shënuar një gol dhe dhënë dy asistime në fitoren 3-0 ndaj Beninit në stadiumin “Monumental”.
Pas përfundimit të ndeshjes, Messi iu drejtua tifozëve dhe bashkëlojtarëve, duke reflektuar mbi një karrierë të jashtëzakonshme me kombëtaren.
“Ishte një burim i jashtëzakonshëm krenarie për mua të mbroja këtë fanellë për më shumë se 20 vjet. Edhe në momentet më të këqija që kemi kaluar dhe që kam kaluar unë, nuk kam reshtur kurrë së luftuari dhe së qeni këtu”, deklaroi Messi.
Ylli argjentinas pranoi se largimi nga kombëtarja do të jetë tepër i dhimbshëm, pasi dëshira e tij do të ishte të vazhdonte të luante përjetësisht me Argjentinën.
“Të mos vij më këtu do të jetë shumë e dhimbshme. Ju betohem se do të doja të luaja për pjesën tjetër të jetës, sepse të luash për Kombëtaren e Argjentinës është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një futbollisti”, u shpreh ai.
Messi e përjetoi me emocione të veçanta rikthimin në “Monumental”, stadium ku Argjentina zhvilloi ndeshjen e parë pas triumfit në Kupën e Botës 2022.
“Tani jam këtu në ditën më të trishtuar të karrierës sime, ditën kur duhet t’i them lamtumirë kombëtares dhe të gjithëve ju. Por tani do të jem në atë anë, me tifozët, duke i mbështetur të gjithë djemtë dhe këdo që do të vijë. Gjithmonë të bashkuar”, tha Messi.
Pavarësisht emocioneve, 39-vjeçari theksoi se nuk është penduar për momentin e zgjedhur për t’i dhënë fund aventurës me Argjentinën. Ai pranoi se përvoja e Botërorit të fundit ishte jashtëzakonisht e lodhshme, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht.
“Edhe pse dua të jem këtu gjithë jetën, ndiej se ky është momenti. Botërori i fundit ishte shumë, gjithçka që më është dashur të përjetoj”, tha kapiteni argjentinas.
Messi kujtoi edhe ëndrrën për të shpallur Argjentinën sërish kampione bote, duke theksuar se skuadra ishte shumë pranë realizimit të saj.
“Ne kishim ëndrrën për të përmbushur ëndrrën time dhe ëndrrën e gjithë vendit, për t’u bërë sërish kampionë bote. Në Botërorin e fundit ishim shumë pranë”, deklaroi ai.
Duke folur për rrugëtimin në turne, Messi tha se ndeshja e fituar ndaj Anglisë në gjysmëfinale kishte ndikuar ndjeshëm në gjendjen fizike dhe emocionale të skuadrës.
“Në realitet, nuk ndodhi asgjë e çuditshme, siç thonë disa. Ndeshja ndaj Anglisë na kushtoi shumë fizikisht, ndërsa emocionalisht ishte një përballje shumë e madhe. Mbërritëm me aq sa kishim dhe luftuam si gjithmonë me këtë fanellë”, përfundoi Messi.
Pas 21 vitesh, 208 ndeshjesh dhe 126 golash, një prej kapitujve më të mëdhenj në historinë e futbollit ndërkombëtar ka marrë fund. Messi u largua nga “Monumental” mes lotësh, duartrokitjesh dhe një ovacioni të paharrueshëm nga tifozët argjentinas.























