Djegie dhe dëmtime në Tiranë, të lënduar 21 policë dhe 13 protestues
BKT
Foto: TCH
Shqipëri

Djegie dhe dëmtime në Tiranë, të lënduar 21 policë dhe 13 protestues

N.M. & G.K/RTKlive

(E përditësuar) Protesta e ditës së pestë në Tiranë është shoqëruar me orë të tëra përplasjesh mes protestuesve dhe policisë, nga Ministria e Arsimit deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zona të tjera të kryeqytetit.

Tubimi nisi në orën 11:00, ndërsa situata u përshkallëzua me hedhjen e gurëve, molotovëve dhe mjeteve piroteknike në drejtim të policisë, djegien e koshave të mbeturinave dhe dëmtimin e pronës publike e private. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe katër autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës, ndërsa gjatë operacionit nisën edhe shoqërimet e para, raporton RTSH.

Pas largimit të protestuesve nga zona para Kryeministrisë, incidentet vijuan në pjesë të tjera të Tiranës. Molotovët shkaktuan zjarr në hyrjen e Bankës së Shqipërisë, ndërsa zjarre dhe dëme materiale u raportuan edhe në ambientet e Gjykatës së Lartë, si dhe në biznese e automjete.

Gjatë protestës është plagosur edhe shefi i Komisariatit nr. 3 në Tiranë, i cili ka pësuar dëmtime në kokë dhe ka marrë 12 të qepura. Në terren ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ndoqi nga afër zhvillimet.

Sipas të dhënave të raportuara, nga protestat e sotme janë lënduar 34 persona, përfshirë 21 efektivë policie dhe 13 protestues.

Djegie dhe dëmtime në Tiranë, flakët përfshijnë një biznes dhe Gjykatën e Lartë

Pas largimit të protestuesve nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, situata në Tiranë është përshkallëzuar me akte dhune, djegie dhe dëmtime të bizneseve dhe institucioneve.

Zjarri i shkaktuar nga hedhja e koktejeve të molotovit ka përfshirë një biznes privat në hyrje të rrugës “Myslym Shyri”, si dhe zyrat në katin e parë të Gjykatës së Lartë. Në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit, të cilët kanë shuar flakët.

Protestues të maskuar kanë hedhur kokteje molotovi edhe në drejtim të godinës së Bankës së Shqipërisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku gjithashtu ka rënë zjarr. Flakët janë shuar nga forcat zjarrfikëse.

Ndërkohë, pranë Bankës së Shqipërisë, në afërsi të godinës së Partisë Socialiste, protestuesit kanë vazhduar hedhjen e fishekzjarrëve dhe koktejeve të molotovit.

Gjatë lëvizjes në rrugët kryesore të kryeqytetit, protestuesit kanë dëmtuar biznese dhe kompani të telefonisë celulare, u kanë vënë zjarrin koshave të mbeturinave, si dhe kanë shkatërruar tabela të sinjalistikës rrugore dhe kangjella rrethuese të trotuareve.

Protestuesit përplasje me policinë, i vënë flakën autoboteve dhe një makine

Pas disa orësh tensionesh dhe përplasjesh, policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Aksioni u zhvillua pas mbërritjes së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe efektivëve të Operacionales, të cilët përdorën katër autobotë me ujë për të larguar turmën nga bulevardi.

Efektivët përparuan në terren, duke ushtruar presion për largimin e protestuesve dhe lirimin e hapësirës para Kryeministrisë. Pas ndërhyrjes, turma u shpërnda nga bulevardi, ndërsa policia nisi shoqërimet e para, raporton RTSH.

Ndërhyrja erdhi pas përplasjeve të vazhdueshme gjatë protestës, ku protestuesit hodhën gurë, kokteje molotovi dhe mjete piroteknike në drejtim të policisë. Tensionet u përshkallëzuan edhe më tej kur një automjeti iu vu flaka në bulevard, duke kërkuar ndërhyrjen e zjarrfikësve për shuarjen e zjarrit.

Në vendin e ngjarjes ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ndoqi nga afër zhvillimet. Ndërkohë, efektivët krijuan një kordon sigurie dhe vijuan ndërhyrjen për largimin e protestuesve nga bulevardi.

Protesta e kësaj të shtune shënon ditën e pestë të tubimeve në Tiranë. Ajo nisi në orën 11:00 para Ministrisë së Arsimit, ku pas disa orësh situata u përshkallëzua me djegien e koshave të mbeturinave, shkuljen e kangjellave të trotuarit dhe hedhjen e gurëve në drejtim të policisë.

Pas përplasjeve pranë ministrisë, protestuesit u zhvendosën drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku tensionet vazhduan me hedhjen e koktejeve të molotovit dhe mjeteve piroteknike. Policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë në përpjekje për të shpërndarë turmën.

Tensione në protestën në Tiranë, policia ndërhyn me ujë dhe gaz lotsjellës

Situata në Tiranë është tensionuar sërish këtë të shtunë, ku protestuesit janë përplasur me policinë pranë Ministrisë së Arsimit dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas mediave shqiptare, pas largimit nga sheshi para Ministrisë së Arsimit, protestuesit janë zhvendosur në bulevard, ku kanë hedhur gurë dhe sende të tjera në drejtim të policisë. Forcat e rendit janë kundërpërgjigjur duke përdorur autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Mediat raportojnë se në protestë ka edhe të mitur dhe të rinj, ndërsa numri i pjesëmarrësve është rritur gjatë pasdites. Pas përplasjeve pranë Ministrisë së Arsimit, protestuesit janë drejtuar drejt Kryeministrisë.

Ndërkohë, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka reaguar pas raportimeve se një ambulancë është bllokuar nga disa protestues. Në reagimin e saj, QKUM ka theksuar se ambulancat janë në shërbim të qytetarëve dhe se pengimi i tyre mund të rrezikojë jetën e personave që kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri po vazhdojnë prej disa ditësh, për shkak të pakënaqësive lidhur me arsimin, koston e jetesës dhe qeverisjen. Gjatë ditëve të fundit, përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë shënuar incidente dhe të lënduar.

Përshkallëzohet protesta në Tiranë, hidhen gurë e gaz lotsjellës

Situata është tensionuar gjatë protestës së të rinjve që po mbahet për të pestën ditë radhazi para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku protestuesit po kundërshtojnë klasën politike në vend.

Mediat në Shqipëri raportojnë se protestuesit kanë hedhur gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të policisë, ndërsa kanë shkulur kangjellat metalike pranë ministrisë dhe i kanë vendosur në mes të rrugës, duke krijuar barriera përballë efektivëve.

Sipas raportimeve, protestuesit kanë djegur edhe kosha të mbeturinave pranë godinës së ministrisë. Një efektiv policie raportohet se është lënduar, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur ambulanca për t’i ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ndërkohë, policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve, të cilët janë zhvendosur përkohësisht në rrugicat përreth për t’iu shmangur efekteve të gazit.

Pavarësisht tensioneve, të rinjtë kanë vazhduar thirrjet kundër klasës politike, duke brohoritur: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Protesta e sotme vjen pas katër ditësh të tjera protestash në kryeqytetin shqiptar, gjatë të cilave janë shënuar akte dhune dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. 

Dita e pestë e protestave në Tiranë

Në Tiranë ka nisur grumbullimi i protestuesve për ditën e pestë radhazi të protestës kundër klasës politike në Shqipëri. Të rinj dhe qytetarë kanë marshuar nga drejtime të ndryshme për t’u mbledhur para Ministrisë së Arsimit.

Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës.

Gjatë tubimit, një grup të rriturish u kanë kërkuar llogari efektivëve të policisë për shoqërimin e protestuesve gjatë ditës së mëparshme.

Sipas RTSH-së, protesta e sotme është paralajmëruar si tubim gjithëpërfshirës kombëtar, ku përveç studentëve dhe gjimnazistëve, pritet të marrin pjesë edhe qytetarë dhe përfaqësues të diasporës.

Pranë Ministrisë së Arsimit janë pozicionuar makina ujëhedhëse, ndërsa forcat e policisë kanë qëndruar pas godinës së ministrisë.

Dhjetë të arrestuar pas protestës së djeshme

Policia e Tiranës ka arrestuar 10 persona dhe ka proceduar penalisht 22 të tjerë lidhur me protestën e zhvilluar më 16 tetor.

Sipas Policisë, të arrestuarit dyshohet se kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të policisë dhe godinës së Ministrisë së Arsimit.

Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar punonjës të policisë, godina e ministrisë dhe sinjalistika rrugore.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

21 të lënduar gjatë protestës së katërt

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, gjatë protestës së 16 tetorit, 21 persona kanë marrë trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë.

Mes tyre janë tetë policë, dhjetë protestues, përfshirë tre të mitur, si dhe tre kalimtarë.

Dy persona vijojnë të marrin trajtim mjekësor, një kalimtar në gjendje të qëndrueshme dhe një protestues 21-vjeçar, i cili po monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë.

Sipas ministrisë, për 21-vjeçarin aktualisht nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.

Personat e tjerë janë larguar nga spitali pas marrjes së trajtimit mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.

Burimi: RTSH/ATSH.


MË SHUME NGA Shqipëri