Rama u bën thirrje studentëve për dialog, kundërshton akuzat për dhunë policore
BKT
Shqipëri

Rama u bën thirrje studentëve për dialog, kundërshton akuzat për dhunë policore

B.H./RTKlive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur thirrjen për dialog drejtuar studentëve që prej një jave po protestojnë për ndryshime në sistemin arsimor. Në shenjë të gatishmërisë për bisedime, para godinës së Kryeministrisë janë vendosur karrige me pankarta ku shkruhet “Dialog”.

Rama tha se është i gatshëm të zhvillojë bisedime pa kushte me protestuesit, por përjashtoi nga kjo ftesë personat që, sipas tij, ushtrojnë dhunë dhe nuk distancohen prej saj.

“Tani, kush do dialog pa kushte, ku të dojë, kur të dojë edhe këtu po të dojë, unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë, të vetmit që nuk janë të mirëpritur janë ata që bëjnë dhunë dhe nuk distancohen nga dhuna”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet për përdorim të forcës disproporcionale nga policia gjatë protestave. Ai argumentoi se numri i efektivëve policorë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është më i lartë se ai i protestuesve të lënduar.

Sipas shifrave të paraqitura nga Rama, deri në 200 zyrtarë policorë kanë marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërsa numri i protestuesve të lënduar është rreth 80. Ai tha se më pak se gjysma e protestuesve të lënduar janë studentë.

“Ka një fakt shumë të thjeshtë, elementar: aty ku përdoret forca disproporcionale, raporti mes të lënduarve në anën e protestuesve dhe atyre në anën e policisë, natyrisht që është një raport i zhdrejtë, ku qartësisht ka më shumë protestues të lënduar se policë të lënduar”, tha Rama.

Ai pretendoi se protestat po shfrytëzohen nga aktorë të ndryshëm për të nxitur destabilitet në Shqipëri, duke përmendur edhe ndikimin e mundshëm nga jashtë.

“Ky është sulm që zhvillohet në një perimetër të mirëorkestruar, që ushqehet me benzinë si zjarr i brendshëm nga aktorë të huaj, gjë që tanimë po bëhet çështje e madhe në gjithë Europën dhe ku ju projektohet qytetarëve një realitet i kombinuar, hibrid. Është një luftë hibride, e cila natyrisht funksionon deri në këtë masë, sepse bazohet në shqetësime reale”, u shpreh kryeministri.

Rama pranoi se shqetësimet për kostot e jetesës dhe mundësitë për strehim janë reale, por tha se ato po përdoren për qëllime politike.

Ai kritikoi edhe një pjesë të mediave, të cilat i akuzoi se po e paraqesin protestën në funksion të interesave politike dhe ekonomike, duke pretenduar se synimi është rrëzimi i qeverisë përmes dhunës.

“Më keq se agresioni i gurëve është agresioni i mediave, të rreshtuara në front për interesa krejt të tjera, jo për arsim më të mirë. Interesa të lidhura me paranë, me politikën, me pushtetin”, deklaroi Rama.

Sipas tij, mënyra se si po pasqyrohen protestat mund të krijojë te qytetarët përshtypjen se situata në vend është më e rëndë sesa është në të vërtetë.

Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve janë zhvilluar që shtatë ditë, me kërkesa për ndryshime në sistemin arsimor. Tubimet janë shoqëruar me tensione dhe përplasje, ndërsa protesta është shtrirë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

 


MË SHUME NGA Shqipëri