Policia shpërndan protestuesit, nis pastrimi i Bulevardit dhe shoqërimet e para
BKT
Shqipëri

Policia shpërndan protestuesit, nis pastrimi i Bulevardit dhe shoqërimet e para

G.K&Sh.Ç/RTKlive

(E plotësuar) Pas orëve të tëra me përplasje dhe trazira në zona të ndryshme të kryeqytetit, situata në terren duket se i është rikthyer normalitetit. Ndërhyrja e forcave të rendit ka bërë të mundur largimin e turmës që ushtronte akte dëmtuese përgjatë akseve kryesore.

Në vendngjarjet ku u zhvilluan përplasjet kryesore janë pothuajse plotësisht të lira. Në këtë kuadër, bëhet me dije se momentalisht, rrugët e Tiranës janë të boshatisura prej protestuesve.

Paralelisht me normalizimin e qarkullimit, ka nisur puna për skanimin e dëmeve të shkaktuara në hapësirat publike. Veçanërisht në Bulevard, ka nisur pastrimi nga gurët dhe sendet e tjera të forta të hedhura gjatë përplasjes me policinë.

Ndërkohë, sa i përket përgjegjësive ligjore për dëmtimin e pronës dhe cenimin e rendit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur veprimet procedurale, ku policia ka shoqëruar disa protestues pas akteve vandale në kryeqytet.

Policia e Shtetit, thirrje qytetarëve të shmangin zonat e incidenteve

Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht lidhur me zhvillimet gjatë protestës së sotme në Tiranë, duke deklaruar se punonjësit e saj janë përballur me akte të përsëritura dhune gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas njoftimit zyrtar, incidentet përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e efektivëve të policisë, si dhe për sigurinë e qytetarëve.

Në reagimin e saj, Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe ata që kryejnë akte dhune ndaj punonjësve të rendit dhe institucioneve, si dhe nga veprimet që shkaktojnë dëme në pronën publike dhe private.

Autoritetet u janë drejtuar gjithashtu banorëve të kryeqytetit, duke u kërkuar të shmangin zonat ku po regjistrohen incidente të dhunshme dhe të mos përfshihen në veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Policia ka theksuar se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj, ndërsa dhuna, sulmet ndaj efektivëve dhe dëmtimi i pronës publike apo private përbëjnë veprime të ndëshkueshme sipas legjislacionit në fuqi.

Në përfundim të deklaratës, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin.

Ndërkohë, forcat e policisë vijojnë të jenë të angazhuara në terren, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Protestuesit sulmojnë institucione dhe biznese

Tirana është përfshirë nga episode të rënda dhune gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet, ku përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit kanë shkaktuar dëmtime në institucione publike, biznese private dhe infrastrukturën urbane.

Situata është tensionuar ndjeshëm në sheshin “Skënderbej”, ku grupe protestuesish të maskuar kanë hedhur gurë, molotovë dhe mjete piroteknike në drejtim të forcave të rendit dhe objekteve përreth. Si pasojë, në disa pjesë të sheshit janë shkaktuar vatra zjarri, ndërsa policia ka ndërhyrë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Mes objekteve të dëmtuara është edhe Banka e Shqipërisë. Sipas raportimeve nga terreni, persona të maskuar kanë përdorur shufra metalike për të thyer xhamat e kabinës së rojes dhe për të dëmtuar kamerat e sigurisë. Sulme me molotovë janë raportuar gjithashtu ndaj godinës së Ministrisë së Mjedisit dhe Teatrit të Kukullave, ku janë shkaktuar zjarre.

Pas shpërndarjes së protestuesve nga zonat kryesore të tubimit, incidentet kanë vijuar në disa akse të Tiranës. Rreth orës 19:15, është raportuar djegia e një kioske përballë Bankës së Shqipërisë, e një stacioni të transportit urban dhe e disa koshave të mbeturinave.

Ndërsa rreth orës 19:30, protestuesit kanë sulmuar edhe një degë banke në rrugën e Kavajës, duke thyer xhamat e objektit. Këto episode i shtohen dëmtimeve të tjera të regjistruara gjatë protestës, të cilat kanë prekur pronën publike dhe atë private.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, forcat speciale RENEA janë pozicionuar përgjatë perimetrit të Kryeministrisë për të garantuar sigurinë e godinës. Ndërkohë, pjesë të tjera të Policisë së Shtetit janë zhvendosur drejt Urës së Lanës dhe hyrjes së bulevardit, pranë Ministrisë së Brendshme.

Sipas pamjeve nga terreni, numri i protestuesve në bulevard është zvogëluar, ndërsa grupet e mbetura janë shpërndarë në drejtime të ndryshme të qytetit.

Lëvizjet janë konstatuar drejt sheshit “Skënderbej”, rrugës “Myslym Shyri”, Parkut Rinia dhe rrugës së Elbasanit, ku janë raportuar incidente dhe dëmtime të tjera.

Zhvillimet e mbrëmjes shënojnë një përshkallëzim të situatës në kryeqytet, me pasoja për sigurinë publike dhe dëme materiale në disa prej zonave më të frekuentuara të Tiranës.

Përplasje të forta në sheshin “Skënderbej”, molotovë dhe gaz lotsjellës

(E plotësuar) Tensionet gjatë protestës në kryeqytet janë përshkallëzuar, me përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të rendit në sheshin “Skënderbej”, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pranë institucioneve kryesore shtetërore.

Protestues të maskuar kanë hedhur gurë, bomba Molotov dhe fishekzjarrë drejt policisë, ndërsa mjetet piroteknike kanë shkaktuar disa vatra zjarri në shesh. Për shpërndarjen e turmës, policia ka përdorur ujë dhe gaz lotsjellës.

Gjatë përplasjeve, janë raportuar dëmtime në disa objekte në qendër të Tiranës. Sipas përshkrimeve nga terreni, disa protestues janë drejtuar drejt Bankës së Shqipërisë, ku kanë thyer xhamat e kabinës së rojës dhe kanë dëmtuar kamerat e sigurisë me shufra metalike.Gjithashtu, ndaj godinës së Ministrisë së Mjedisit dhe Teatrit të Kukullave janë hedhur bomba Molotov, duke shkaktuar zjarre. Në pamjet e publikuara shihen edhe protestues të pajisur me shkopinj, ndërsa forcat e policisë janë shpërndarë në disa pika të sheshit për të vënë situatën nën kontroll.

Përplasjet janë shtrirë edhe në rrugën “George W. Bush”, përballë Kuvendit të Shqipërisë, ku grupe protestuesish kanë sulmuar kordonin policor me mjete piroteknike.

Sipas raportimeve nga terreni, “protestuesit e vendosur te rruga ‘George W. Bush’, përballë parlamentit, po hedhin një breshëri fishekzjarrësh e molotovësh, në kundërpërgjigje ndaj policisë”.

Po sipas raportimeve, protestuesit kanë përdorur edhe lazerë për të shpërqendruar efektivët që ruajnë perimetrin e sigurisë së institucionit.

Ndërkohë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, forcat speciale RENEA janë pozicionuar përgjatë perimetrit të Kryeministrisë. Pjesë të tjera të Policisë së Shtetit janë zhvendosur drejt Urës së Lanës dhe hyrjes së bulevardit, pranë Ministrisë së Brendshme.

Grupet e protestuesve janë shpërndarë në disa drejtime, përfshirë sheshin “Skënderbej”, rrugën “Myslym Shyri”, Parkun Rinia dhe rrugën e Elbasanit.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas publikimit të pamjeve ku një efektiv policie shihet duke u përfshirë nga flakët pas hedhjes së një bombe Molotov.

Në deklaratën e saj, Koçiu ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj forcave të rendit dhe ka akuzuar drejtuesit e opozitës për përgjegjësi në përshkallëzimin e situatës.

“Koha kur hidhnin gurin dhe fshihnin dorën ka mbaruar”, deklaroi ajo, duke shtuar se “sot, urdhëruesi i dhunës ka dalë hapur, ka marrë përsipër autorësinë e plotë të shkatërrimit dhe e ka grisur vetë alibinë e ‘turmës së zemëruar’”.

Koçiu e cilësoi Partinë Demokratike si “një forcë të mirëfilltë dhune”, duke pretenduar se veprimet e saj synojnë destabilizimin e vendit.

Në përfundim të reagimit, ajo u shpreh se përpjekjet për të nxitur trazira nuk do të mbështeten nga qytetarët, duke theksuar: “Shqiptarët nuk e duan dhunën, shqiptarët duan Europën”.

Dëme në sheshin “Skënderbej” gjatë protestës, gurë dhe molotovë ndaj policisë

(E plotësuar) Përplasje, incidente dhe dëme janë regjistruar sot në sheshin “Skënderbej” gjatë protestës së 12 në Tiranë. Protestuesit kanë hedhur bomba molotov, fishekzjarre dhe gurë ndaj policisë.

Gjatë këtyre përplasjeve raportohet se një efektiv policie ka marrë flakë, ndërsa kolegët e tij kanë ndërhyrë për t’i shuar flakët dhe për t’i ardhur në ndihmë.

Mediat në Shqipëri shkruajnë se përdorimi i molotovëve nga protestuesit dhe gazit lotsjellës nga policia ka shoqëruar përplasjet në disa zona të kryeqytetit, ndërsa forcat e Policisë janë angazhuar për menaxhimin e situatës.

Forcat RENEA pozicionohen te Kryeministria, protestuesit grupohen në disa zona

(E përditësuar) Në vijim të zhvillimeve në terren, situata në Bulevardin Dëshmorët e Kombit ka pësuar ndryshime sa i përket vendosjes së forcave të rendit dhe lëvizjes së turmës. Aktualisht, efektivat e repartit special RENEA kanë marrë pozicione përgjatë perimetrit të godinës së Kryeministrisë për të garantuar sigurinë e objektit.

Ndërkohë, trupa të Policisë së Shtetit kanë ndryshuar formacionin e tyre. Një pjesë e forcave të rendit është zhvendosur nga kryeministria drejt Urës së Lanës, ndërsa efektiva të tjerë janë pozicionuar në hyrje të Bulevardit, pranë godinës së Ministrisë së Brendshme.

Sipas pamjeve nga terreni, në bulevard ndodhen pak protestues, pasi pjesa më e madhe e tyre është shpërndarë.

Lëvizja e turmës ka vijuar në disa akse kryesore të kryeqytetit. Protestuesit janë fragmentuar në disa grupe më të vogla, të cilat janë zhvendosur përkatësisht drejt Sheshit Skënderbej, Rrugës “Myslym Shyri”, zonës së Parkut Rinia, si dhe në drejtim të Rrugës së Elbasanit.

Tensione në Tiranë, protestuesit hedhin gurë, policia përdor gaz lotsjellës

(E plotësuar) Protesta e studentëve dhe qytetarëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, e nisur në orën 14:00, është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, RTSH dhe ATSH, disa protestues kanë hedhur gurë në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit dhe efektivëve të Policisë, ndërsa kjo e fundit është përgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre. Gjatë tubimit janë djegur edhe disa kazanë mbeturinash.

Ndërkohë, protestës së studentëve iu bashkuan edhe deputetë dhe mbështetës të Partisë Demokratike, të cilët fillimisht ishin mbledhur para Kryeministrisë dhe më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit.

Sipas Top Channel dhe ATSH-së, me mbërritjen e tyre në zonën e Rrugës së Durrësit, protestuesit demokratë u pritën nga të rinjtë me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”.

Më herët, gjatë protestës para Kryeministrisë, ishin djegur ulëset e vendosura nga kryeministri Edi Rama në kuadër të thirrjes së tij për dialog.

Studentët kërkojnë kushte më të mira arsimore dhe një të ardhme brenda vendit, ndërsa në protestë janë shprehur edhe kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Sipas raportimeve të mediave, pas ndërhyrjes së policisë, një pjesë e protestuesve janë zhvendosur drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe Kryeministrisë.

PD proteston para Kryeministrisë në Tiranë, digjen ulëset e vendosura për dialog

Partia Demokratike e Shqipërisë po zhvillon sot një protestë para Kryeministrisë në Tiranë, në mbështetje të studentëve dhe të rinjve që po protestojnë prej 12 ditësh.

Sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë mbledhur deputetë të PD-së, simpatizantë dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit.

Marshimi drejt Kryeministrisë

Siç raporton Top Channel, protestuesit kanë marshuar nga selia e PD-së drejt godinës së Kryeministrisë, me deputetët Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj në krye.

Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), një pjesë e simpatizantëve të PD-së u kanë vënë flakën ulëseve me jastëkë të vendosura para Kryeministrisë si ftesë simbolike nga kryeministri Edi Rama për “dialog” me studentët.

Vazhdon protesta studentore

Protesta e sotme përkon me ditën e 12-të të protestës studentore, ndërsa studentët kanë thirrur tubim para Ministrisë së Arsimit në orën 14:00.

Sipas mediave shqiptare, me protestën studentore janë solidarizuar edhe pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël, ndërsa pritet pjesëmarrja edhe e studentëve nga qytetet e tjera.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka njoftuar se ka shtuar masat e sigurisë, pas thirrjeve në rrjetet sociale për veprime të dhunshme gjatë tubimit.

Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, duke theksuar se tubimi duhet të zhvillohet paqësisht dhe në respektim të ligjit


MË SHUME NGA Shqipëri