Beyer takohet me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen
A.B|RTKLive
Deputeti gjerman Peter Beyer ka diskutuar me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, për ndikimin e zgjedhjeve në Serbi në Evropë, Kosovë dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Beyer theksoi se ndryshimi i qeverisë në Serbi nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të qasjes ndaj Kosovës.
Ai tha se të dyja vendet duhet t’i zbatojnë obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit. Sipas tij, Kosova duhet të garantojë vetëmenaxhimin e premtuar për komunitetin serb, ndërsa të dyja palët duhet të jenë të gatshme të afrohen me njëra-tjetrën.
“Normalizimi nuk funksionon nëse secila palë pret që tjetra të bëjë hapin e parë dhe është e kënaqur me veten dhe me atë që mendon se ka arritur”, theksoi Beyer.
Ai shtoi se ende mbetet e paqartë se si do të ripozicionohen forcat politike në rajon, ndërsa paralajmëroi se Rusia dhe Kina ndjekin interesat e tyre në Ballkanin Perëndimor.























