Dita e 15-të e protestave në Tiranë, studentët marshojnë drejt Kryeministrisë
G.K/RTKlive
Studentët dhe qytetarët në Tiranë kanë vijuar edhe këtë të martë protestat, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në ditën e 15-të të protestës, të rinjtë u grumbulluan fillimisht para Ministrisë së Arsimit dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.
Sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, një grup studentësh u nis nga Fakulteti i Mjekësisë dhe iu bashkua protestuesve të tjerë para Ministrisë së Arsimit, ku forcat e policisë kishin vendosur një kordon sigurie. Në afërsi të godinës ishte pozicionuar edhe një autobot, në rast të tensioneve.
Siç raportojnë ATSH dhe RTSH, gjatë protestës, të rinjtë dogjën disa kartona dhe dy kosha mbeturinash para Ministrisë së Arsimit, ndërsa brohoritën thirrjet “Dorëheqje” dhe “Revolucion”.
Pas rreth dy orësh qëndrimi para Ministrisë së Arsimit, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, ku vijuan tubimin.
Sipas Top Channel, gjatë protestës në zonën e bulevardit, protestuesit i vunë flakën edhe një peme.
Protestat e studentëve po mbështeten edhe nga pedagogët e universiteteve publike, të cilët kanë bojkotuar mësimin që nga 21 tetori, në shenjë solidariteti me të rinjtë.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, kur protestat u shoqëruan me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë, protesta e së martës u zhvillua pa incidente të rënda. Në përplasjet e ditëve të kaluara mbetën të lënduar dhjetëra persona, përfshirë policë dhe protestues.
Studentët dhe të rinjtë kanë përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke refuzuar ftesat e tij për dialog.























