Në kërkim të drejtësisë për Arlindën |Video
BKT
Lajme

Në kërkim të drejtësisë për Arlindën |Video

Edona Podvorica/ RTK

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka shtuar kërkesat për përgjegjësi institucionale dhe reformë të sistemit të drejtësisë. Kryeministri Albin Kurti u ka dhënë edhe 54 orë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë për ta dorëzuar raportin për rastin, ndërsa ekspertët theksojnë se problemi qëndron te zbatimi i ligjeve dhe mungesa e llogaridhënies. Ndërkohë, për nesër është paralajmëruar protestë në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave.

Kryeministri Albin Kurti tha se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë edhe 54 orë kohë për të dorëzuar raportin për rastin, me qëllim të sqarimit të dështimeve të mundshme në secilën hallkë të zinxhirit institucional.

“Natyrisht që do të ketë edhe masa në përputhje me ligjin e me rregulloret. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi, e dimë, por tash shpejtësia është kryesore”, tha Kurti.

Kryeministri kërkoi reformë urgjente të sistemit të drejtësisë, duke theksuar se përgjegjësia duhet të adresohet në të gjitha nivelet, nga hetimet policore deri te prokuroria dhe gjykatat.

“Kemi nevojë ta drejtojmë drejtësinë. Kjo do të thotë edhe hetim të hetuesve, edhe aktakuzë prokurorëve, edhe gjykime gjykatave”, tha ai.

Ndërkohë, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë për nesër, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Sipas të dhënave të publikuara, tetë gra janë vrarë në Kosovë gjatë vitit 2026. Që nga viti 2010, numri i grave të vrara nga familjarët arrin në 67.

Sociologu Fadil Maloku vlerëson se problemi nuk qëndron te mungesa e ligjeve, por te zbatimi i tyre dhe mungesa e llogaridhënies.

Hetimi duhet të identifikojë hallkën ku ka dështuar reagimi institucional dhe të sqarojë pse nuk janë ndërmarrë masa parandaluese, pavarësisht se institucionet mund të kenë qenë të informuara për rrezikun.

Shqetësim mbeten edhe dënimet e shqiptuara ndaj personave të dënuar për vrasjen e grave, të cilat, sipas avokates Fehmije Ahmeti, nuk kanë qenë në nivelin e kërkuar të ashpërsisë.

“Unë i kam përfaqësu tri familje, tri gra të ndjera, Gjyljeta Ukella, Zejnepe Berisha, Antigona Morina, edhe të tre nuk janë dënu me burg të përjetshëm”, tha Ahmeti.

Ajo theksoi se dhuna psikologjike, kërcënimet dhe rastet me pasoja më të lehta fizike shpesh priren të minimizohen, ndërsa kërkesa për prova shtesë mund ta vështirësojë trajtimin serioz të këtyre rasteve.

 


MË SHUME NGA Lajme