Irani raporton për tankerë të përfshirë nga zjarri në Hormuz
BKT
Rajoni dhe Bota

Irani raporton për tankerë të përfshirë nga zjarri në Hormuz

Luan Qorraj /RTK

Tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar më tej, pasi Garda Revolucionare e Iranit ka njoftuar se tre tankerë janë përfshirë nga zjarret dhe shpërthimet në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa në disa zona të jugut të Iranit janë raportuar shpërthime të reja.

Sipas autoriteteve iraniane, tankerët kanë tentuar të kalojnë nëpër një rrugë të paautorizuar në ngushticë. Teherani ka pretenduar se dy prej tyre kanë goditur mina, ndërsa një tjetër është përfshirë nga zjarri. Emrat dhe vendet e origjinës së anijeve nuk janë bërë të ditura.

Ndërkohë, mediat iraniane kanë raportuar për shpërthime në ishullin Qeshm, si dhe në afërsi të qyteteve Jask, Sirik dhe Bandar Abbas. Megjithatë, shkaku i shpërthimeve nuk është konfirmuar dhe nuk ka dëshmi të pavarura se ato janë shkaktuar nga sulme të reja amerikane.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se po përgatisin një plan të ri për të ndërprerë rrugët tokësore të furnizimit dhe tregtisë me Iranin. Kjo masë synon të zgjerojë presionin ekonomik ndaj Teheranit, pas bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.

Zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit, në një kohë kur tensionet në rajon mbeten të larta.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota