Mbahen “Ditët e Mbretëreshës Teuta”, nderohen personalitete shqiptare e kroate
BKT
Kulturë

Mbahen “Ditët e Mbretëreshës Teuta”, nderohen personalitete shqiptare e kroate

K.K|RTKLive

Në Shtëpinë e Gazetarëve në Zagreb u mbajtën “Ditët e Mbretëreshës Teuta 2026”, organizuar nga Klubi i Grave Shqiptare në Kroaci “Mbretëresha Teuta”, me temën “Urat e trashëgimisë diplomatike, shkencore dhe kulturore të shqiptarëve dhe kroatëve – përmes shekujve”.

Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të njohura të jetës politike, diplomatike, shkencore dhe kulturore, ndër ta ish-presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiq, diplomatë, ambasadorë, përfaqësues të Selisë së Shenjtë në Vatikan, si dhe të ftuar të veçantë nga Kroacia, Kosova, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktiviteti u organizua nën drejtimin e Shenida Bilallit, kryetare e Klubit të Grave Shqiptare në Kroaci “Mbretëresha Teuta”, e cila ishte edhe pjesë e programit artistik përmes grupit të vallëzimit “Ilirke”, për të cilin realizoi koreografinë.

Në fokus të mbrëmjes ishte promovimi i lidhjeve historike dhe miqësore ndërmjet shqiptarëve dhe kroatëve, si dhe rëndësia e forcimit të tyre përmes diplomacisë, shkencës, kulturës dhe artit.

Programi artistik u pasurua me performancën e grupit “Ilirke”, ndërsa pjesë e mbrëmjes ishte edhe ansambli nga Kosova “Voice of Kosovo”, i cili u prit me duartrokitje nga publiku.

Një moment i veçantë ishte ceremonia e ndarjes së çmimit “Mbretëresha Teuta”. Për kontributin e tyre në ruajtjen e identitetit, zhvillimin e shkencës e kulturës dhe në afrimin e njerëzve, u nderuan Dashamir Uruci, Jahja Kokaj, Rita Saliu, Sanja Plesa, Slavi Bosiçeviq dhe Nurija Beadini.

Çmimi pas vdekjes iu akordua prof. Milan Sufflay, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në shkencë dhe në studimin e historisë e kulturës shqiptare.

Në pjesën përmbyllëse të programit u prezantua një sfilatë mode nga krijuesja kosovare Albina Hashani, e cila i dha mbrëmjes një tjetër dimension artistik dhe estetik.

“Ditët e Mbretëreshës Teuta 2026” sollën në një hapësirë të përbashkët figura nga politika, diplomacia, shkenca dhe arti, duke e vënë në qendër trashëgiminë që lidh shqiptarët dhe kroatët dhe duke përcjellë mesazhin e forcimit të bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet dy popujve.


MË SHUME NGA Kulturë