“Syqkym”, instalacioni që trajton pushtetin dhe kontrollin në shoqëri /Video
Arbana Hajredinaj /RTK
Në hapësirën publike të Prishtinës, artisti Eroll Murati ka prezantuar instalacionin multimedial “Syqkym”. Përmes figurave të huaja, të veshura me kostume formale, vepra sjell një reflektim kritik mbi pushtetin, kontrollin dhe mënyrën se si ndërtohet realiteti politik dhe shoqëror.
Në pamje të parë, figura të pazakonta, të veshura me kostume formale, duken sikur kanë zbritur nga një objekt fluturues. Por, pas kësaj paraqitjeje që tërheq vëmendjen e kalimtarëve, fshihet një mesazh kritik mbi strukturat e pushtetit dhe mënyrën se si ato funksionojnë në shoqëri. Instalacioni multimedial “Syçkym”, i artistit Eroll Murati, është vendosur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke e shndërruar hapësirën publike në një skenë reflektimi mbi realitetin politik. Përmes figurave të huaja, të paraqitura në formë antropomorfe, artisti ndërton një metaforë për të huajt që operojnë brenda strukturave të njohura të shoqërisë.
Kështu, skena shndërrohet në një teatër të pushtetit, ku vendimet merren nga aktorë që duken të shkëputur nga konteksti qytetar.
Sipas kuratorit Zeni Ballazhi, instalacioni ndërton një narrativë mbi pushtimin simbolik, ku lakmia për pushtet, ambicia individuale dhe instrumentalizimi i sistemit shndërrohen në formë të një invazioni të ri.
Vepra ngre pyetje mbi autenticitetin e përfaqësimit, transparencën dhe marrëdhënien ndërmjet qytetarit dhe pushtetit.
“Syçykym” nuk mbetet vetëm një objekt vizual në hapësirën urbane, por një ftesë për lexim kritik të realitetit politik dhe shoqëror.























