Kosova promovon potencialin turistik në panairin ndërkombëtar në Stokholm
BKT
Kulturë

Kosova promovon potencialin turistik në panairin ndërkombëtar në Stokholm

K. K. / RTKlive

Kosova po promovon potencialin e saj turistik në panairin ndërkombëtar “Travel News Market 2026”, që po mbahet sot në Stokholm të Suedisë.

Në këtë panair, dhjetë kompani turistike vendore po prezantojnë destinacionet, atraksionet dhe përvojat që ofron Kosova për vizitorët ndërkombëtarë.

Pjesëmarrja në këtë panair synon krijimin e mundësive për bashkëpunim me operatorë turistikë dhe agjenci udhëtimi nga vendet nordike, përmes takimeve B2B dhe shkëmbimit të kontakteve.

Pjesë e promovimit është edhe alpinistja Uta Ibrahimi, e cila, përmes përvojave të saj në udhëtime dhe eksplorimin e natyrës, prezanton potencialin e Kosovës për turizmin e aventurës.

Pjesëmarrja organizohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, në bashkëpunim me projektin GROW, të mbështetur nga Sida dhe të zbatuar nga Swisscontact, si dhe në koordinim me Ambasadën e Kosovës në Suedi.

Synimi është rritja e prezencës së Kosovës në tregjet nordike dhe krijimi i mundësive të reja për bizneset turistike vendore në tregun ndërkombëtar.


MË SHUME NGA Kulturë