Miratohet në parim projektligji për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore
G.K/RTKlive
Komisioni për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini ka miratuar në parim Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, i cili parasheh krijimin e një agjencie të veçantë për mbikëqyrjen dhe inspektimin e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, projektligji është prezantuar para anëtarëve të Komisionit nga ministrja e Kulturës, Saranda Bugujevci.
Gjatë prezantimit, Bugujevci ka theksuar se qëllimi i projektligjit është përmirësimi i mekanizmave të inspektimit në fushën e trashëgimisë kulturore, rritja e kapaciteteve institucionale dhe shtimi i numrit të inspektorëve.
“Projektligji parasheh krijimin e një Agjencie të veçantë, e cila do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe inspektimin e trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me synim forcimin e mbrojtjes dhe ruajtjes së saj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Pas diskutimeve dhe sqarimeve të dhëna nga ministrja, anëtarët e Komisionit, nën drejtimin e kryetarit Nezir Kraki, miratuan në parim projektligjin.























