KEK nis procesin e startimit të njësisë A4 në TC Kosova A
E.Hoti/RTKlive
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit ka filluar procesi i startimit të njësisë A4 në Termocentralin Kosova A.
Sipas njoftimit të KEK-ut, kjo është një fazë e domosdoshme teknologjike për rikthimin në operim të njësive që punojnë me linjit.
“Gjatë ngrohjes graduale të kaldajës dhe stabilizimit të procesit të djegies, tymi nga oxhaku mund të jetë përkohësisht më i dukshëm. Për njësinë A4, kjo fazë pritet të zgjasë rreth 3–4 orë”, thuhet në njoftim.
KEK ka kërkuar mirëkuptimin e banorëve të zonës dhe të Komunës së Obiliqit për shkak të tymit të dukshëm gjatë këtij procesi.
Me përfundimin e procedurave të startimit, njësia A4 pritet të sinkronizohet së shpejti me rrjetin elektroenergjetik dhe të kalojë gradualisht në operim të qëndrueshëm.























