Qeveria e Kosovës ndalon tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe
BKT
Lajme

Qeveria e Kosovës ndalon tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe

Sh.Çoçaj/RTKlive

(E plotksuar) Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë nga Serbia, përfshirë blerjen e energjisë, si kundërpërgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare për tregtim nga ana e Serbisë.

Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë, ku kabineti qeveritar votoi pro propozimit për ndërprerjen e tregtimit, përkatësisht blerjes së energjisë elektrike nga kompanitë e Serbisë.

Kryeministri Albin Kurti, në arsyetimin e këtij vendimi, tha se kjo është masa e parë ndaj Serbisë dhe paralajmëroi se mund të ketë hapa të tjerë nëse nuk ndryshon situata.

“Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim”, deklaroi Kurti.

Përveç ndalimit të tregtimit me kompanitë serbe, Qeveria miratoi edhe dy vendime të tjera që lidhen me përballimin e situatës në sektorin e energjisë elektrike.

Njëri prej tyre parasheh shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji, ndërsa tjetri vendos obligim të shërbimit publik ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit.

Kurti bëri të ditur se KEK-u do të obligohet të sigurojë një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, me qëllim të përballimit të vështirësive që kanë krijuar bllokimi i linjave të interkonjeksionit 400 kilovolt dhe faktorë të tjerë.

“Gjithashtu, për t'u përballur me vështirësitë e sektorit të energjisë që vijnë nga bllokimi i këtyre linjave të interkonneksionit 400 kilovolt dhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, sot po i vendosim KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor”, tha Kurti.

Masat e miratuara përfshijnë edhe obligimin e ndërmarrjes Ibër-Lepenci për ta shitur energjinë elektrike për furnizimin e shërbimit publik.

Tri vendimet e miratuara synojnë të përballojnë sfidat e krijuara në sektorin energjetik dhe të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike në Kosovë.

Kurti paralajmëron ndalimin e tregtimit të energjisë me kompanitë serbe

Qeveria e Kosovës pritet të ndërmarrë tri masa në sektorin e energjisë, përfshirë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, si kundërpërgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare për tregtim. Kështu ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë, duke paralajmëruar se masat mund të ashpërsohen nëse nuk ka ndryshim të qëndrimit nga Serbia.

Kurti ka theksuar se ndalimi i tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe do të jetë masa e parë ndaj Serbisë për pengimin e tregtisë përmes linjave ndërkufitare të interkonjeksionit.

“Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim”, ka deklaruar Kurti.

Krahas kësaj mase, kreu i Qeverisë ka bërë të ditur se do t’i vendoset Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) obligimi publik për sigurimin e një sasie të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor.

“Gjithashtu, për t'u përballur me vështirësitë e sektorit të energjisë që vijnë nga bllokimi i këtyre linjave të interkonneksionit 400 kilovolt dhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, sot po i vendosim KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor”, ka thënë ai.

Masa e tretë emergjente, sipas Kurtit, do të përfshijë edhe ndërmarrjen publike Ibër-Lepenci, e cila do të obligohet të shesë energji elektrike për furnizimin e shërbimit publik.

Këto vendime, sipas kryeministrit, synojnë të adresojnë vështirësitë me të cilat po përballet sektori i energjisë, në një situatë të ndikuar nga faktorë ndërkufitarë dhe të brendshëm.

Në të njëjtën mbledhje, kryeministri ka folur edhe për vizitat e tij në Francë dhe Irlandë, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve dhe liderë ndërkombëtarë.

Duke iu referuar vizitës në Paris, Kurti ka bërë të ditur se është pritur dy herë në Pallatin Élysée, fillimisht në një mbrëmje të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe zonja e parë Brigitte Macron, e më pas në një takim bilateral.

Ai ka theksuar se në këto takime është riafirmuar përkushtimi i Kosovës ndaj perspektivës euroatlantike.

Sa i përket integrimit evropian, Kurti ka kërkuar që Këshilli i Bashkimit Evropian të kërkojë mendimin e Komisionit Evropian për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 15 dhjetor 2022, gjatë presidencës çeke të BE-së.

“Që rrugëtimi zyrtar i Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, nëpërmjet marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave pranë arsimit, të mos vonohet edhe më tutje, është thelbësore që Këshilli të kërkojë mendim nga Komisioni për aplikimin tonë të dorëzuar me 15 dhjetor të vitit 2022 në prag të Republikës Çeke, e cila atë botë mbante presidencën e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka ritheksuar se anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik i Kosovës, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.

Ndërkaq, për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Kurti ka thënë se ky proces do t’i mundësonte Kosovës pjesëmarrjen në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe qytetarëve qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri ka përshëndetur dekretimin nga presidentja Justina Shiroka Pula të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kurti e ka cilësuar këtë zhvillim si rezultat të përpjekjeve të Qeverisë, pavarësisht kundërshtimeve dhe pengesave të shumta.

“Të nderuar kolegë të kabinetit qeveritar, të dashur qytetarë të Republikës, pas shumë përpjekjesh tona përballë një serie e kundërshtimesh e pengesash që na u vunë në rrugë, madje në mënyrë të përsëritur, javën që shkoi, Presidentja e Republikës, Justina Shiroka Pula, dekretoi ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Urime të gjithëve dhe le të jetë ky fillimi i një kapitulli të ri, të mirë, të mbarë për drejtësi dhe baraza”, ka thënë Kurti.

Dekretimin e këtij ligji, kryeministri e ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të drejtësisë dhe barazisë në Kosovë.


MË SHUME NGA Lajme