Wolff: Antonelli nuk largohet nga Mercedes për Ferrarin
BKT
Sport

Wolff: Antonelli nuk largohet nga Mercedes për Ferrarin

F.B/RTKLive

Drejtori i Mercedesit, Toto Wolff, nuk ka asnjë dyshim se Kimi Antonelli do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës gjermane, pavarësisht interesimit të mundshëm nga rivalët, veçanërisht Ferrari.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, në prag të Çmimit të Madh të Las Vegasit, drejtuesi austriak ka folur për të ardhmen e pilotit italian, duke vlerësuar lart zhvillimin dhe paraqitjet e tij gjatë këtij sezoni.

Wolff ka kujtuar se Antonelli ishte përballur me kritika në një pjesë të sezonit të kaluar, por Mercedes nuk e kishte humbur asnjëherë besimin tek ai. Sipas tij, pjekuria dhe aftësia për të përballuar presionin në një moshë kaq të re e bëjnë italianin një kampion të veçantë.

Sa i përket të ardhmes, Wolff ka konfirmuar se Antonelli ka kontratë edhe për sezonin e ardhshëm, duke lënë të kuptohet se aspekti financiar nuk përbën asnjë pengesë për vazhdimësinë e bashkëpunimit.

Ai ka theksuar se faktori më i rëndësishëm për pilotin është të ketë në dispozicion një makinë konkurruese dhe një skuadër që lufton për fitore. Sipas tij, Mercedes i ka dëshmuar këto cilësi dhe synon të vazhdojë në të njëjtën rrugë.

“Jam zero për qind i shqetësuar për mundësinë që Kimi të joshet nga Ferrari. Këtë sezon kemi treguar se jemi një skuadër fituese dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për çdo pilot, përfshirë edhe Kimin”, ka deklaruar Wolff.

Ai ka shtuar se Antonelli është plotësisht i lidhur me Mercedesin, duke kujtuar edhe deklaratën e pilotit italian pas triumfit në kampionat, kur kishte thënë se nuk mund ta imagjinonte veten duke garuar me një makinë tjetër.

Në këtë mënyrë, Wolff ka dërguar një mesazh të qartë se Mercedes synon ta mbajë në radhët e veta pilotin italian, duke besuar se një makinë konkurruese dhe një skuadër fituese janë garancia më e mirë për të ardhmen e tij.