Haxhiu kërkon përkrahjen e Belgjikës për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe KiE
K.K / RTKlive
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës në Bruksel është takuar me kryetarin e Senatit të Belgjikës, Vincent Blondel, me të cilin ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Haxhiu ka falënderuar Belgjikën për kontributin e dhënë ndër vite ndaj Kosovës, duke kujtuar se ishte ndër vendet e para që njohën pavarësinë e saj.
“Diskutuam për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Senatit belg, veçanërisht përmes bashkëpunimit ndërmjet grupeve parlamentare të miqësisë. Kërkova që Belgjika të vazhdojë ta përkrahë rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Haxhiu.
Në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, pas ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Belgjikën.
“Ky traktat do t’ua lehtësojë punën hetuesve dhe prokurorëve kur provat apo dëshmitarët ndodhen në vendin tjetër”, ka theksuar ajo.
Haxhiu ka shtuar se Kosova dhe Belgjika kanë një miqësi të gjatë, të cilën synojnë ta thellojnë më tej përmes bashkëpunimit konkret.






















