Murati: Dhomat e Specializuara funksionojnë në një “rreth vicioz”
BKT
Lajme

Murati: Dhomat e Specializuara funksionojnë në një “rreth vicioz”

E.Hoti/RTKlive

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Valon Murati, ka kritikuar Dhomat e Specializuara në Hagë, duke vlerësuar se të akuzuarit dhe mbrojtja e tyre kanë mundësi të kufizuara për të sfiduar vendimet e gjykatës. Në emisionin “RTK Prime”, ai ka ngritur shqetësime për trajtimin e paraburgimit të Hashim Thaçit dhe për barazinë e palëve në procesin gjyqësor, duke pretenduar se në disa raste gjykata ka favorizuar prokurorinë.

Ai ka thënë se gjyqtarët dhe prokurorët e Dhomave të Specializuara kanë një lloj imuniteti juridiko-politik, pasi mungojnë mekanizmat për t'i sfiduar veprimet e tyre në instanca të tjera ndërkombëtare.

“Ti i thua nuk po e zbaton ligjin e Kosovës, por ti s'ke asnjë mekanizëm për ta sfiduar atë”, ka deklaruar Murati.

Ai ka përmendur edhe pamundësinë e Kosovës për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, duke thënë se po të ishte anëtare, vendimet e Dhomave të Specializuara do të mund të sfidoheshin edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Duke komentuar aktgjykimin e sotëm, Murati e ka cilësuar problematike mënyrën se si është trajtuar çështja e mbajtjes së Thaçit në paraburgim.

“Ti do të apelosh, ti do të shkosh në Apel, do të shkosh në Supreme, po je në rreth vicioz”, ka thënë ai.

Murati ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, Dhomat e Specializuara e kanë trajtuar luftën e UÇK-së, duke theksuar se kontributi i saj për çlirimin e Kosovës nuk duhet të shihet nga një prizëm që e vë në pikëpyetje luftën për liri.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për barazinë e palëve në proces, duke pretenduar se në disa raste gjykata ka favorizuar prokurorinë në raport me mbrojtjen.

“Kjo e godet një prej parimeve kryesore të barazisë së armëve, që është parim themelor i sundimit të ligjit dhe i të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Murati.


MË SHUME NGA Lajme