Rruga rajonale R118 në Mushtisht drejt përfundimit, investimi mbi 1 milion euro
E.Hoti/RTKlive
Punimet në segmentin e rrugës rajonale R118, që kalon nëpër fshatin Mushtisht të Suharekës, po shkojnë drejt përfundimit.
Punimet në këtë projekt kishin nisur më 16 maj 2026, në prani të kryeministrit Albin Kurti, në një segment me gjatësi prej 1.14 kilometrash.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, gjashtë muaj pas nisjes së punimeve, një pjesë e konsiderueshme e rrugës është asfaltuar dhe pajisur me trotuare e ndriçim publik.
Ndërkohë, ka përfunduar edhe betonimi i urës, ndërsa punimet po vazhdojnë në pjesën e mbetur të segmentit.
Ministria ka bërë të ditur se gjatë realizimit të projektit është angazhuar për të trajtuar çështjet e shpronësimit dhe pengesat e tjera që kanë ndikuar në ecurinë e punimeve.
Vlera e investimit në këtë projekt është mbi një milion euro dhe pritet të mundësojë qarkullim më të sigurt për banorët e Mushtishtit.






















