Përcakton çiftet e Ligës së Kombeve, Spanja dhe Franca përballen në çerekfinale
Fatmir Bytyqi/RTKLive
UEFA ka hedhur shortin për fazën eliminatore të Ligës së Kombeve, duke përcaktuar përballjet e “play-off”-it për ndryshimin e ligave, si dhe çiftet çerekfinaliste të garës.
Shorti është mbajtur të premten në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, ku janë mësuar kundërshtarët e kombëtareve që do të luftojnë për vazhdimin e garës dhe për një vend në ligat përkatëse.
Në “play-off”-in për kalimin nga Liga A në Ligën B, Irlanda do të përballet me Kroacinë, Bosnja dhe Hercegovina me Danimarkën, Hungaria me Serbinë, ndërsa Sllovenia do të ketë përballë Uellsin.
Ndërkohë, përballjet e “play-off”-it mes Ligës B dhe Ligës C do të jenë Qipro – Maqedonia e Veriut, Estonia – Rumania, Ishujt Faroe – Gjeorgjia dhe Bjellorusia – Izraeli.
Vëmendja kryesore, megjithatë, është te çerekfinalet e Ligës së Kombeve, ku shorti ka rezervuar duele të mëdha mes disa prej kombëtareve më të njohura të futbollit evropian.
Përballja më e spikatur do të jetë ajo ndërmjet Spanjës dhe Francës, ndërsa Norvegjia do të sfidojë Anglinë. Në dy çiftet e tjera, Holanda do të takohet me Portugalinë, kurse Belgjika do të përballet me Gjermaninë.
Ndeshjet e para të fazës “play-off” janë planifikuar të zhvillohen më 25 ose 27 mars 2027, ndërsa ato të kthimit më 28 ose 30 mars.
Sipas formatit të garës, këto përballje zhvillohen në dy ndeshje dhe skuadra që regjistron rezultatin më të mirë të përgjithshëm siguron objektivin e saj. Në rast të barazimit pas 180 minutash, luhen vazhdimet dhe, nëse është e nevojshme, fituesi përcaktohet përmes penalltive. Rregulli i golit si mysafir nuk zbatohet.
Çiftet e “play-off”-it, Liga A/B:
Irlanda – Kroacia
Bosnja dhe Hercegovina – Danimarka
Hungaria – Serbia
Sllovenia – Uellsi
Çiftet e “play-off”-it, Liga B/C:
Qipro – Maqedonia e Veriut
Estonia – Rumania
Ishujt Faroe – Gjeorgjia
Bjellorusia – Izraeli
Çerekfinalet e Ligës së Kombeve:
Spanja – Franca
Norvegjia – Anglia
Holanda – Portugalia
Belgjika – Gjermania






















