Shearer zbulon çfarë i duhet Pochettinos te United
F.B/RTKLive
Legjenda e futbollit anglez, Alan Shearer, ka komentuar situatën te Manchester United, duke theksuar se suksesi i trajnerit të ri Mauricio Pochettino do të varet shumë nga liria që do t’i jepet në vendimmarrjen për të ardhmen e skuadrës.
Sipas Shearer, argjentinasi duhet të ketë kontroll të plotë mbi përforcimet dhe largimet e futbollistëve, në mënyrë që të mund ta ndryshojë gjendjen në klub.
“Është e qartë se ai do të dëshirojë të ketë kontroll mbi transferimet. Diçka duhet të ketë ndryshuar që ai ta ketë pranuar këtë detyrë, pasi e kemi parë disa herë të njëjtin skenar, me trajnerë që vijnë dhe më pas shkarkohen”, ka deklaruar Shearer.
Ish-sulmuesi anglez beson se problemet e Manchester Unitedit nuk mund t’i atribuohen vetëm trajnerëve, por kërkojnë ndryshime edhe në nivelet drejtuese të klubit.
“Nuk është ndonjë shkencë e komplikuar. Nuk mund të jetë gjithçka faji i trajnerit. Për të ndryshuar situatën, duhet të ketë ndryshime edhe në nivelet më të larta. Trajneri duhet të ketë ndikim të madh në vendimet se kush vjen dhe kush largohet”, ka shtuar ai.
Shearer vlerëson se Manchester United ka mjaftueshëm cilësi për të dalë nga zona e rrezikshme dhe për ta përfunduar sezonin në mesin e tabelës, ndonëse nuk pret një përmirësim të menjëhershëm.
Pochettino, i cili ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2029, përballet me një sfidë të madhe në përpjekjen për ta rikthyer klubin në rrugën e suksesit.
Manchester United ka regjistruar vetëm një fitore në 10 ndeshjet e para të kampionatit dhe aktualisht ndodhet në vendin e 18-të në tabelën e Premierligës.






















