Ambasada e Kosovës përgëzon Nexhat Shalën dhe Vera Halitin për zgjedhjen në Slloveni
A.B/RTKLive
Ambasada e Republikës së Kosovës në Lubjanë përgëzon z. Nexhat Shala dhe znj. Vera Haliti për zgjedhjen e tyre anëtarë të Këshillit të Qytetit të Nova Goricës dhe Këshillit të Qytetit të Celjes, në kuadër të zgjedhjeve lokale në Republikën e Sllovenisë, të mbajtura më 15 nëntor 2026.
Nexhat Shala është zgjedhur për herë të dytë anëtar i Këshillit të Qytetit të Nova Goricës, si përfaqësues i listës Goriška.si, ndërsa znj. Vera Haliti është zgjedhur anëtare e Këshillit të Qytetit të Celjes, si përfaqësuese e listës Lista Matije Kovača in skupnost.
Ambasada e vlerëson këtë rezultat si dëshmi të pjesëmarrjes aktive të qytetarëve me prejardhje shqiptare në jetën publike dhe institucionale të Republikës së Sllovenisë.
Përfaqësimi në institucionet vendore përbën një dimension të rëndësishëm të integrimit të komunitetit shqiptar në shoqërinë mike sllovene, duke mundësuar pjesëmarrje aktive në proceset vendimmarrëse dhe kontribut të drejtpërdrejtë në jetën shoqërore.
Ambasada e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të kultivuar dhe thelluar bashkëpunimin me institucionet lokale dhe qendrore të Sllovenisë, në funksion të avancimit të integrimit, përfaqësimit dhe forcimit të lidhjeve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.
Ambasada u uron z. Shala dhe znj. Haliti suksese në ushtrimin e mandateve të tyre dhe në përmbushjen e përgjegjësive në shërbim të qytetarëve.






















