Gërvalla: Agjenda për Barazi Gjinore 2027–2030 synon forcimin e të drejtave
A.B/RTKLive
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se është prezantuar projekt-plani i punës për Agjendën Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027–2030.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla ka thënë se kjo agjendë synon të forcojë të drejtat e grave dhe barazinë gjinore në Kosovë.
Gërvalla ka theksuar se mbrojtja e të drejtave, siguria, pavarësia dhe barazia e grave duhet të jenë garanci konkrete në jetën e përditshme dhe jo vetëm objektiva në dokumente.
“Barazia nuk mund të mbetet vetëm parim i shkruar. Asnjë grua nuk duhet të pengohet nga dhuna, diskriminimi apo pabarazia për të ushtruar të drejtat e saj dhe për të përcaktuar të ardhmen e vet.Si Ministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Kombëtare kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave, nuk do ta ndal në asnjë moment punën për mbrojtje më të mirë të viktimave dhe përgjegjësi më të madhe institucionale”, tha Gërvalla.






















