Demiri takohet me ambasadorin slloven, diskutohet bashkëpunimi në zhvillimin rajonal
A.B/RTKLive
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, ka pritur në takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, me të cilin ka diskutuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e zhvillimit rajonal.
Gjatë takimit, Demiri prezantoi misionin dhe programet e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për avancimin e zhvillimit të balancuar rajonal.
Ambasadori Blaj shprehu gatishmërinë e Sllovenisë për të ofruar mbështetje, veçanërisht përmes shkëmbimit të përvojave në programet dhe fondet e Bashkimit Evropian, përfshirë instrumentin TAIEX.
Sipas njoftimit të ministrisë, palët u dakorduan që MZHR-ja t'i dërgojë Ambasadës së Sllovenisë draftin e Memorandumit të Bashkëpunimit gjatë dhjetorit të vitit 2026.
Po ashtu, ministria do të marrë pjesë në një panel në konferencën me bizneset sllovene, e cila do të mbahet më 23 dhe 24 shkurt 2027, ku parashihet edhe krijimi i mundësive për takime dhe lidhje biznesore B2B me kompanitë kosovare.
Në kuadër të bashkëpunimit, palët do të punojnë edhe për organizimin e një vizite studimore në Slloveni gjatë vitit 2027.






















