PDK-ja paralajmëron strategji shtetërore për mbrojtjen e çlirimtarëve në apel
V.Th / RTKLive
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paralajmëruar prezantimin e strategjisë shtetërore për mbrojtjen e çlirimtarëve në procedurën e apelit dhe një iniciative të re ligjore për Dhomat e Specializuara, gjatë javës së ardhshme.
Këto zhvillime u bënë të ditura nga ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, pas takimit të përbashkët të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe kryetarëve të degëve të kësaj partie.
Sipas komunikatës së PDK-së, Çitaku i ka njoftuar të pranishmit për zhvillimet e fundit dhe hapat e ardhshëm në kuadër të angazhimeve për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë.
Ajo ka thënë se javën e ardhshme pritet të prezantohen “frytet e para të punës intensive”, përfshirë strategjinë shtetërore për mbrojtjen në apel dhe iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara.
Sipas komunikatës, iniciativa ligjore do të mbështetet në tekstin që Kuvendi e miratoi në tetor dhe do të përfshijë kontributet e PDK-së, ekspertëve dhe grupit punues.
Çitaku ka vlerësuar se “uniteti i të gjitha partive parlamentare shqiptare në mbrojtje të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe të çlirimtarëve në Hagë ka peshë historike”.
Ajo ka falënderuar partitë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në mbështetje të kësaj çështjeje, të cilën e ka cilësuar si kauzë kombëtare.
“PDK do të angazhohet deri në fund që çlirimtarët të kenë mbështetjen e shtetit në çdo nivel, me mobilizimin e të gjitha kapaciteteve institucionale dhe me fonde të mjaftueshme për të ndërmarrë çdo veprim të mundshëm”, thuhet në komunikatë.
Sipas Çitakut, synimi është “rrëzimi i aktgjykimit të shkallës së parë dhe fitorja e çlirimtarëve në apel”.






















