Pacolli njofton për rrënime të reja përreth Liqenit të Ujmanit
E.Hoti/RTKlive
Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se po vazhdojnë rrënimet e ndërtimeve pa leje në zonat ujore të liqeneve akumuluese.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli njoftoi se Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka nisur rrënimin e gjashtë objekteve pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit, prej të cilave katër janë veranda dhe dy shtëpi.
Ajo bëri të ditur se aksioni në Ujman vjen pas rrënimit të ndërtimeve ilegale dhe pastrimit të zonës përreth Liqenit të Radoniqit.
Pacolli paralajmëroi se aksionet do të vazhdojnë edhe në zonat përreth liqeneve të Batllavës dhe Badovcit.
“Mbrojtja e liqeneve dhe burimeve tona ujore është përgjegjësi e përbashkët dhe nuk do të lejojmë ndërtime që cenojnë pasuritë tona natyrore. Asnjë ndërtim i paligjshëm në zonat përreth liqeneve nuk do të tolerohet. Ligji do të zbatohet pa përjashtim!”, ka shkruar Pacolli.






















