KCSF dhe CBM lansojnë programin për fuqizimin e grave në udhëheqje /VIDEO
BKT
Lajme

KCSF dhe CBM lansojnë programin për fuqizimin e grave në udhëheqje /VIDEO

Sh.G|RTKlive

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), në bashkëpunim me Community Building Mitrovica (CBM), ka lansuar Programin për Gratë në Udhëheqje, i cili synon fuqizimin e grave të angazhuara në organizatat e shoqërisë civile përmes zhvillimit të aftësive drejtuese, komunikimit dhe ndikimit profesional.

E ftuar në Programin e Mëngjesit, në RTK, Rreze Hoxha, zyrtare për ngritjen e kapaciteteve në KCSF, tha se programi është dizajnuar për të mbështetur gratë në avancimin e tyre drejt pozitave udhëheqëse, duke pasur parasysh dallimin mes pjesëmarrjes së grave në sektor dhe përfaqësimit të tyre në pozita drejtuese.

“Programin për Gratë në Udhëheqje e kemi dizajnuar duke u bazuar në faktin se investimi në ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e shkathtësive udhëheqëse te gratë nuk ndikon vetëm te ato personalisht, por edhe në përmirësimin e sektorit në tërësi. Në shoqërinë civile nuk mungojnë gratë. Në Kosovë, numri i grave dhe burrave të punësuar në organizatat e shoqërisë civile është pothuajse i barabartë, por kur e shohim se sa prej këtyre grave janë në pozita udhëheqëse, përqindja ndryshon”, deklaroi Hoxha.

Ajo bëri të ditur se programi përfshin tri module njëditore, të cilat do të trajtojnë udhëheqjen me vizion, planifikimin e karrierës, të folurit publik, negocimin, udhëheqjen e ekipeve dhe krijimin e një kulture gjithëpërfshirëse në organizata. Sipas Hoxhës, synimi është që të mbështeten gratë që tashmë kanë marrë përgjegjësi në koordinimin apo udhëheqjen e projekteve, duke i pajisur me shkathtësi shtesë për zhvillimin e tyre profesional. Ajo veçoi edhe rëndësinë e delegimit të detyrave, si një nga sfidat me të cilat përballen gratë në pozita udhëheqëse, për shkak të presionit për të dëshmuar vazhdimisht aftësitë e tyre.


MË SHUME NGA Lajme