Konjufca dhe Instituti i Krimeve të Luftës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
BKT
Lajme

Konjufca dhe Instituti i Krimeve të Luftës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

E.Hoti/RTKlive

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe prezantimin ndërkombëtar të dokumentimit të krimeve të kryera nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, gjatë luftës në Kosovë, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD dhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës me memorandum për prezantim ndërkombëtar të dokumentimit të krimeve të luftës

Sipas njoftimit, përmes këtij memorandumi, dy institucionet do të bashkërendojnë angazhimet për ndërkombëtarizimin e hulumtimeve, dëshmive dhe publikimeve mbi krimet e luftës.

“Rrjeti diplomatik dhe konsullor i Republikës së Kosovës do të mbështesë prezantimin e këtyre materialeve në arenën ndërkombëtare, organizimin e aktiviteteve përkujtimore dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucione relevante ndërkombëtare. Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e diplomacisë publike të institucioneve tona në përballjen me përpjekjet për mohimin dhe relativizimin e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës gjatë luftës” thuhet në njoftim.

MPJD ka theksuar se  mbetet e përkushtuar që e vërteta historike për luftën çlirimtare dhe për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë të njihet sa më gjerësisht ndërkombëtarisht, duke fuqizuar zërin e Republikës së Kosovës në mbrojtje të drejtësise dhe dinjitetit të viktimave ndaj të cilëve janë kryer këto krime.

 


MË SHUME NGA Lajme