S`gabon Prishtina, mposht Drenicën
RTKlive
Prishtina ka regjistruar një tjetër fitore në Superligën e Kosovës, duke e mposhtur Drenicën me rezultat 3-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të.
Protagonisti kryesor i takimit ishte Assane Diatta, i cili realizoi të tre golat e skuadrës kryeqytetase.
Sulmuesi i Prishtinës zhbllokoi rezultatin në minutën e 40-të, pas një aksioni të ndërtuar me asistimin e Anio Poçit.
Drenica e pati edhe më të vështirë vazhdimin e ndeshjes, pasi Erion Idrizi u përjashtua me karton të kuq në pjesën e dytë, pas ndërhyrjes ndaj Albin Krasniqit.
Prishtina shfrytëzoi epërsinë numerike dhe vazhdoi të sulmonte, ndërsa Diatta realizoi edhe dy herë të tjera. Fillimisht në minutën e 67-të, pas asistimit të Dren Zeqirit, e më pas në minutën e 72-të, kur Leotrim Kryeziu e shërbeu për golin e tretë.
Me këtë triumf, Prishtina arrin në kuotën e 35 pikëve dhe vazhdon të kryesojë tabelën. Ajo ka tetë pikë më shumë se Malisheva dhe 11 më shumë se Drita, të cilat kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.






















