Dy persona arrestohen për vjedhje në shtëpinë e Princit dhe Princeshës së Uellsit
A.B/RTKLive
Dy burra janë arrestuar nën dyshimin për vjedhje dhe hyrje të paautorizuar në rezidencën e fshatit të Princit dhe Princeshës së Uellsit, në pronën Sandringham, në Norfolk të Anglisë.
Policia e Norfolkut bëri të ditur se kishte marrë një telefonatë pak para orës 18:00 të së hënës, pas raportimit për aktivitet të dyshimtë në rezidencën Anmer Hall.
Policia angazhoi qen nuhatës, dronë dhe një helikopter për të kontrolluar zonën. Dy burra u arrestuan në pronën mbretërore dhe vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Sipas policisë, në momentin e incidentit, rezidenca nuk kishte banorë. Pallati Kensington tha se nuk komenton çështjet që lidhen me sigurinë.
Princi William dhe bashkëshortja e tij, Catherine, nuk jetojnë gjatë gjithë kohës në Anmer Hall, por e përdorin atë si rezidencë pushimi gjatë festave.
Val Blackmur, 83-vjeçare, e cila jeton në rrugën që të çon drejt kësaj rezidence, i tha BBC-së se do të ishte e pabesueshme nëse dikush do të kishte qenë aq i pamend sa të tentonte të hynte me forcë në të.






















