Rama: Shqipëria do marrë më shumë mbështetje nga Plani i ri i Rritjes
BKT
Shqipëri

Rama: Shqipëria do marrë më shumë mbështetje nga Plani i ri i Rritjes

atsh

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se ekonomia shqiptare është trefishuar gjatë dekadës së fundit, duke kaluar nga 10 miliardë euro në 30 miliardë euro, ndërsa ambicia është që të dyfishohet sërish deri në vitin 2030.

Në fjalën e tij në përmbyllje të ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor – “A New Investment Frontier”, Rama tha se “me atë çfarë mund t’i shtojë inteligjenca artificiale, potencialit tonë që është me mjaft këmbë në tokë, kjo është më shumë se e mundur”.

“Hidhini një sy e hartës. Gjendemi në pikëtakimin midis Adriatikut dhe Jonit. Përtej me përballë me Italinë, një portë hyrëse e Ballkanit Perëndimor. Jemi një aleate e NATO-s dhe jemi drejt rrugës për në Bashkimin Evropian. Shihni energjinë. Energjia jonë elektrike thuajse vjen tërësisht nga burime të ripërtëritshme. Kemi diellin, erën e ujin për të prodhuar shumë më tepër”, tha Rama.

Më tej, Kreu i Ekzekutivit tha se “vetëm 12 vjet më parë udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u ulën përreth të njëjtës tryezë për herë të parë në histori. Ndodhi në Berlin me ftesën e Angela Merkel. Ajo çfarë sot është një rutinë diplomatike, aso kohe ishte historia që ndodhte vetëm 12 vjet më parë”.

Rama solli në kujtesë edhe fjalët e Merkel: “Mirë se erdhët në Berlin në një bashkëbisedim mes evropianësh. Ju ende nuk jeni anëtarë të Bashkimit Evropian, por jeni evropianë dhe ka ardhur kohë për ta kthyer rajonin tuaj në një vend ku rregullat evropiane nuk zbatohen vend pas vendi, por për të gjithë rajonin””.

“Kështu nisi Procesi i Berlinit dhe aty një dekadë më vonë nisi Plani i ri i Rritjes. 12 vjet më pas ka ardhur koha që të mos shihemi më vetëm përmes lenteve të zgjerimit si një rajon që gjithnjë përpiqet të kapë ritmin me Bashkimin Evopian, sepse jemi më shumë se kaq. Jemi një destinacion i ri investimi, jemi një kënd në rritje i Europës, konkurrueshmërisë e rezistencës”, vijoi ai.

Rama tha se “Ballkani Perëndimor si një horizont i ri për investim, inovacion dhe prodhim nuk është slogan, është një propozim dhe propozimi natyrisht duhet të vërtetohet me projekte, partneritete e rezultate”.

Kreu i qeverisë u ndal edhe tek integrimi evropian.

“Shihni Brukselin. Këtë vit progresi ynë u vlerësua e u pranua në çdo front. Kjo do të thotë institucione më të forta e një horizont solid për këdo që do të vërë bast për të ardhmen e afërt të Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i ri i Rritjes jo si nder si favor, por sepse kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe e kemi merituar notën”.

Duke u ndalur tek buxheti 2027, Rama tha se “Parlamenti po e finalizon sot dhe për herë të parë arrin në 10 miliardë euro. Një dekadë më parë 10 miliardë euro ishte e tërë ekonomia jonë. Sot është buxheti që kemi. Ai vjen me një mesazh të fortë social dhe me mbështetje të vazhdueshme për bizneset e vogla në të vetmin vend në rajon e sigurisht edhe në Europë që ka tatim zero mbi fitimin e bizneseve të vogla”.


MË SHUME NGA Shqipëri