Rama dhe Mickoski promovojnë “One Stop Shop” në Qafë Thanë
BKT
Shqipëri

Rama dhe Mickoski promovojnë “One Stop Shop” në Qafë Thanë

RTKlive&RTSH

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kanë promovuar në pikën kufitare të Qafë Thanës sistemin e integruar të kontrollit kufitar “One Stop Shop”, një mekanizëm që synon lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve.

Gjatë aktivitetit, Mickoski theksoi se ky model bashkëpunimi pritet të shtrihet edhe në pika të tjera kufitare, me synimin për të forcuar lidhjet mes dy vendeve dhe për të nxitur zhvillimin e turizmit.

Nga ana e tij, Rama e cilësoi këtë nismë si një ndryshim konkret në funksionimin e kufirit, duke vënë theksin te lehtësimi i procedurave për udhëtarët.

“Po hedhim një hap konkret që ka efekt pozitiv për miliona njerëz që lëvizin këtu. Ishim më herët te ‘kontrollo-kontrollo’, tani kaluam te ‘kontrollo-beso’, pastaj kalojmë në fazën tjetër, ‘beso-beso’”, deklaroi Rama.

Kryeministri shqiptar vlerësoi gjithashtu klimën pozitive të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke nënvizuar rëndësinë e projekteve të përbashkëta dhe bashkëpunimit rajonal.

Në lidhje me integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, Rama rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për avancimin e këtij procesi.

“Unë kam qenë në mënyrë të vijueshme, ndonjëherë edhe me zë të lartë, në mbështetje të procesit të afrimit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE”, u shpreh ai.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte Korridori VIII, të cilin Rama e cilësoi si një projekt strategjik me rëndësi të veçantë për lidhjen e rajonit, integrimin europian dhe sigurinë në kuadër të NATO-s.

Pas vizitës në Qafë Thanë, Rama do të vijojë agjendën në Maqedoninë e Veriut me ndalesa në Ohër dhe Manastir. Në këtë të fundit, ai do të vizitojë Muzeun e Alfabetit dhe do të marrë pjesë në aktivitetet kushtuar 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Gjatë takimit, Mickoski përcolli edhe urimet për këtë festë të rëndësishme për shqiptarët, duke vlerësuar bashkëpunimin me Shqipërinë.

Sistemi “One Stop Shop” konsiderohet një hap drejt një kufiri më funksional, me më pak procedura dhe më shumë lehtësi për qytetarët dhe bizneset e të dy vendeve.


MË SHUME NGA Shqipëri