Rinas/ Mesazh kërcënues për bombë në bordin e avionit nga Mançesteri
RTSH
Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas kanë bërë të ditur se janë njoftuar rreth orës 19:30, nga menaxheri i aeroportit se gjatë uljes së avionit të linjës Mançester–Rinas ishte gjetur një letër në tualetin e avionit. Letra, e shkruar në anglisht, përmbante një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas sinjalizimit, forcat e Policisë kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë realizuar zbritjen e kontrolluar të të gjithë pasagjerëve.
Policia shpjegon më tej se strukturat përkatëse kanë kryer verifikime të hollësishme të avionit, pasagjerëve dhe bagazheve, duke angazhuar edhe qentë antieksplozivë.
Paralelisht, pasagjerët i janë nënshtruar kontrolleve në grupe, fillimisht nga efektivët e Policisë dhe më pas nëpërmjet skanerit të aeroportit, për të zbuluar çdo send që mund të ketë lidhje me hartimin e shënimit kërcënues.
Nga kontrollet e kryera në avion nuk është gjetur asnjë lëndë apo send shpërthyes.
Për ngjarjen është vënë në dijeni edhe struktura e Antiterrorit, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe zbulimin e personit që ka shkruar letrën.
Rinas/ Informacion paraprak
Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.






















