Kuvendi i Shqipërisë miraton në parim buxhetin 2027
BKT
Shqipëri

Kuvendi i Shqipërisë miraton në parim buxhetin 2027

RTSH

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në parim Projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”, me 80 vota pro dhe 25 kundër. Projektbuxheti do të rikthehet tashmë në komisionet parlamentare, ku do të shqyrtohet nen për nen. Seanca plenare, e drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shoqërua me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, e cila votoi kundër projektbuxhetit dhe projektligjeve të tjera financiare të rendit të ditës.

Gjatë diskutimeve, opozita e cilësoi buxhetin e vitit 2027 si një buxhet elektoral. Përfaqësuesit e saj argumentuan se shpërndarja e fondeve publike dhe rritja e barrës fiskale rrezikojnë të rëndojnë qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Nga ana tjetër, mazhoranca e mbrojti projektbuxhetin, duke e konsideruar historik, pasi për herë të parë shpenzimet buxhetore arrijnë kufirin prej 10 miliardë eurosh.

Sipas qeverisë, rëndësia e këtij buxheti nuk qëndron vetëm te vlera financiare, por edhe te politikat e parashikuara për vitin e ardhshëm, me fokus lehtësimin e barrës fiskale për shtresën e mesme, mbështetjen e pensionistëve dhe kategorive në nevojë.

Projektbuxheti i vitit 2027 u prezantua në Kuvend nga kryeministri Edi Rama, i cili paraqiti prioritetet dhe pikat kryesore të planit financiar, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për financat publike.

Përveç buxhetit, gjatë seancës parlamentare u shqyrtuan edhe projektligjet financiare që lidhen drejtpërdrejt me të, ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”, si dhe një projektvendim.

Në nisje të punimeve, Kuvendi miratoi gjithashtu projektprogramin dhe projektkalendarin e punimeve parlamentare, përkatësisht me 80 vota pro, 18 kundër dhe asnjë abstenim.


MË SHUME NGA Shqipëri