Transfertat ndërbankare në 10 sekonda, nis sistemi i ri i pagesave në Shqipëri
BKT
Shqipëri

Transfertat ndërbankare në 10 sekonda, nis sistemi i ri i pagesave në Shqipëri

ATSH

Transfertat bankare mes institucioneve të ndryshme financiare në Shqipëri kryhen tashmë brenda 10 sekondash, me nisjen sot të sistemit të ri kombëtar të pagesave të menjëhershme (Instant Payments).

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, risia synon të lehtësojë qarkullimin e parasë dhe të rrisë shpejtësinë e transaksioneve financiare, duke u dhënë qytetarëve dhe bizneseve mundësinë të përfitojnë fondet pothuajse në çast, pa qenë të kushtëzuar nga oraret e punës së bankave.

Deri më tani, transfertat e menjëhershme realizoheshin vetëm mes llogarive të të njëjtit institucion financiar. Kur dërguesi dhe përfituesi kishin llogari në banka të ndryshme, procesi mund të zgjaste disa orë ose deri në një ditë pune. Zhvillimi i sistemit do të vijojë me një tjetër risi për tregun financiar: pagesat në pikat e shitjes përmes kodeve QR.

Banka e Shqipërisë po punon për ndërtimin e një infrastrukture të unifikuar kombëtare, e cila do t’u mundësojë konsumatorëve të paguajnë për produktet dhe shërbimet vetëm përmes skanimit të një kodi me telefonin celular.

Kjo mënyrë pagese pritet të krijojë një alternativë ndaj kartave bankare dhe terminaleve POS, duke ulur kostot e transaksioneve, veçanërisht për pagesat me vlera të vogla. Përmes sistemit të ri, fondet do të kalojnë drejtpërdrejt nga llogaria e blerësit në atë të shitësit, ndërsa pagesa do të konfirmohet brenda pak sekondash.

Një tjetër avantazh lidhet me kostot e transfertave elektronike. Në bazë të rregullave të miratuara nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, transfertat kombëtare elektronike deri në 40 mijë lekë përjashtohen nga komisionet.

Me këtë sistem, Shqipëria synon të avancojë drejt një tregu më të shpejtë, më të aksesueshëm dhe më ekonomik të pagesave elektronike, duke nxitur përdorimin e shërbimeve financiare digjitale nga qytetarët dhe bizneset.


MË SHUME NGA Shqipëri