Kosta Rika ia ndalon hyrjen në vend Raportuesit Special të OKB-së
BKT
Rajoni dhe Bota

Kosta Rika ia ndalon hyrjen në vend Raportuesit Special të OKB-së

A.B|RTKLive

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë kritikuar vendimin e Kosta Rikës për t’ia ndaluar hyrjen në vend një eksperteje të njohur të OKB-së, e cila kishte udhëtuar për të marrë një titull nderi nga universiteti.

Francesca Albanese, Raportuese Speciale e OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze, tha se kishte kaluar dy net duke fjetur në aeroportin ndërkombëtar të San José-s, pasi të enjten në mbrëmje iu ndalua hyrja në vend.

Autoritetet e imigracionit deklaruan se Albanese-s iu refuzua hyrja për shkak të lidhjeve të pretenduara me “akte terroriste”, pretendim të cilin juristja italiane e ka mohuar kategorikisht.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” për këtë vendim dhe i bëri thirrje Kosta Rikës që ta rishqyrtojë atë.

Të shtunën, Albanese udhëtoi drejt Meksikës.

“Mirupafshim, për momentin. Do të kthehem, ju premtoj, kur Kosta Rika të jetë sërish e lirë”, shkroi ajo në rrjetin social X.

Ajo kishte udhëtuar drejt San José-s për të marrë titullin e doktoratës së nderit nga Universiteti i Kosta Rikës, në vlerësim të punës së saj për të drejtat e njeriut.

Ceremonia u mbajt pavarësisht mungesës së saj fizike. Albanese mori pjesë përmes videolidhjes dhe mbajti fjalimin e pranimit, e ulur në dyshemenë e një terminali të aeroportit ndërkombëtar Juan Santamaría.

Fotografitë nga ngjarja tregojnë se të pranishmit në sallën e universitetit e duartrokitën në këmbë juristen, ndërsa ajo shfaqej në ekranet e mëdha mbi skenë, raporton BBC.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota