Samiti i BE-së, përplasjet për buxhetin dhe financimin e Ukrainës thellojnë ndarjet
G.K/RTKlive
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar mbi buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të bllokut dhe vazhdimin e mbështetjes financiare për Ukrainën. Megjithatë, dallimet ndërmjet shteteve anëtare kanë zbehur shpresat për arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të vitit.
Sipas Euronews, në tryezën e diskutimeve janë dy propozime kryesore: buxheti shtatëvjeçar i BE-së për periudhën 2028–2034, me vlerë rreth 1.78 trilion euro, dhe kredia e re prej 45 miliardë eurosh për mbështetjen e Ukrainës, e cila do të financohej përmes borxhit të përbashkët.
Megjithëse teknikisht janë dy çështje të ndara, negociatat për buxhetin dhe financimin e Ukrainës janë ndërthurur politikisht, duke vështirësuar arritjen e një kompromisi.
Shtetet anëtare të ndara për buxhetin e ardhshëm
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka propozuar një buxhet prej 1.78 trilion eurosh, rreth 10 për qind më të ulët se propozimi fillestar i Komisionit Evropian.
Austria, Belgjika, Gjermania, Danimarka, Finlanda, Holanda dhe Suedia kërkojnë reduktime të mëtejshme të buxhetit dhe orientimin e shpenzimeve drejt mbrojtjes, inovacionit, energjisë së gjelbër dhe konkurrueshmërisë.
Në anën tjetër, grupi prej 17 shtetesh, i njohur si “Miqtë e Kohezionit”, kundërshton shkurtimet e mëtejshme, duke kërkuar mbrojtjen e fondeve për bujqësinë dhe politikën e kohezionit.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, është shprehur pesimiste për arritjen e një marrëveshjeje deri në dhjetor.
“Jemi vite-dritë larg një zgjidhjeje për këtë problem. Ekziston një përpjekje e përgjithshme për të gjetur një zgjidhje deri në fund të dhjetorit, por nuk do të lejoj që afati kohor ta diktojë këtë çështje. Nuk kam një afat kohor. Kam kushte specifike. Kur marrëveshja të jetë e vlefshme dhe e drejtë për Italinë, atëherë do ta nënshkruaj”, ka deklaruar Meloni, raporton Euronews.
Edhe kryeministri hungarez, Péter Magyar, ka vlerësuar se gjasat për arritjen e një marrëveshjeje gjatë këtij samiti janë pothuajse zero.
Ndërkaq, kryeministri polak, Donald Tusk, ka paralajmëruar për pasojat e reduktimit të buxhetit evropian.
“Mesazhi im për sot: Një Evropë e lirë në kosto mund të rezultojë një gabim shumë i kushtueshëm. Siguria ka një çmim. Kaq e thjeshtë”, ka shkruar Tusk.
Përplasje për kredinë prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën
Një tjetër çështje që ka shkaktuar mosmarrëveshje ndërmjet vendeve anëtare është propozimi i Komisionit Evropian për një kredi të re prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën.
Nga kjo shumë, 25 miliardë euro parashihen për ndihmë ushtarake, ndërsa 20 miliardë euro për mbështetje buxhetore.
Sllovakia, Hungaria dhe Çekia vazhdojnë të kundërshtojnë pjesëmarrjen në këtë kredi, ndërsa Bullgaria, pas kundërshtimit fillestar, ka konfirmuar se do të marrë pjesë vetëm në komponentin financiar dhe jo në atë ushtarak.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka ndërlidhur negociatat për buxhetin e ardhshëm të BE-së me financimin e Ukrainës, duke kërkuar që të gjitha shtetet anëtare të kontribuojnë.
Sipas Euronews, Merz ka paralajmëruar se Gjermania nuk do ta mbështesë buxhetin e ardhshëm të bllokut nëse të 27 shtetet anëtare nuk kontribuojnë financiarisht për Ukrainën.
“Ajo që po bëjmë këtu nuk synon zgjatjen e luftës. Po e bëjmë për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar Merz.
Edhe kryeministri holandez, Rob Jetten, ka kundërshtuar përjashtimin e vendeve anëtare nga mbështetja financiare për Ukrainën.
“Është plotësisht e qartë se agresioni rus në Ukrainë është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi. Ukrainasit po luftojnë për lirinë e tyre, por edhe për demokracinë dhe vlerat evropiane”, ka thënë Jetten.
Metsola: Miratimi i buxhetit nga Parlamenti nuk është i garantuar
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka deklaruar se BE-ja ka nevojë për një buxhet që mbështet rritjen ekonomike dhe përmbush nevojat afatgjata të Ukrainës.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për solidaritet, por për një investim në të ardhmen e Ukrainës dhe në sigurinë e vetë Evropës sonë. Ajo që është në rrezik shkon përtej kufijve të Ukrainës dhe këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë”, ka thënë Metsola.
Ajo ka paralajmëruar se shkurtimet e fondeve të kohezionit do të ishin të vështira për t’u shpjeguar dhe se miratimi përfundimtar nga Parlamenti nuk duhet të merret si i mirëqenë, edhe nëse të gjitha shtetet anëtare arrijnë një marrëveshje.
Sipas Euronews, Korniza e ardhshme Financiare Shumëvjeçare duhet të miratohet me të paktën 361 vota nga gjithsej 720 deputetë të Parlamentit Evropian.
Udhëheqësit e eurozonës mbështesin Hernández de Cos për drejtimin e BQE-së
Në kuadër të samitit në Bruksel, udhëheqësit e eurozonës kanë mbështetur kandidaturën e spanjollit Pablo Hernández de Cos për të pasuar Christine Lagarde në krye të Bankës Qendrore Evropiane (BQE).
Hernández de Cos, 55 vjeç, aktualisht drejton Bankën për Rregullime Ndërkombëtare, ndërsa nga viti 2018 deri në vitin 2024 ka drejtuar Bankën e Spanjës.
Nëse emërohet zyrtarisht, ai do të bëhet spanjolli i parë që drejton Bankën Qendrore Evropiane që nga themelimi i saj në vitin 1998.
Lagarde pritet të largohet nga detyra më 7 shkurt 2027, afro nëntë muaj para përfundimit të mandatit të saj.
Costa kërkon kompromis ndërmjet vendeve anëtare
Për të tejkaluar mosmarrëveshjet, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka nisur konsultimet me udhëheqësit evropianë në grupe më të vogla, me pjesëmarrjen edhe të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Costa u ka bërë thirrje vendeve anëtare që të tregohen të hapura dhe konstruktive në negociata, duke rikujtuar se miratimi i buxhetit kërkon unanimitet.
“Na duhet një buxhet afatgjatë që mundëson financimin e prioriteteve tona kryesore. Duhet të mbështesim fermerët, qytetet dhe rajonet tona. Duhet të investojmë më shumë në siguri dhe mbrojtje, të rrisim konkurrueshmërinë dhe t’u përgjigjemi pritjeve të qytetarëve tanë”, ka deklaruar Costa.
Sipas Euronews, diskutimet për buxhetin kanë dominuar samitin, duke e lënë në plan të dytë çështjen e financimit të Ukrainës.
Samiti i ardhshëm i BE-së, i planifikuar për 17 dhe 18 dhjetor, synon arritjen e një marrëveshjeje për buxhetin, megjithëse dallimet ndërmjet shteteve anëtare vazhdojnë të mbeten të theksuara.






















