CIA-ja goditet nga një sulm kibernetik, komprometohen të dhëna të paklasifikuara
A.B/RTKLive
Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (ODNI) janë përballur me një sulm të mundshëm kibernetik, që ka prekur informacione të paklasifikuara, bëjnë të ditur katër burime të njohura me çështjen për CNN.
Sulmi ka goditur një sistem që agjencitë e përdorin për analizën e inteligjencës nga burimet e hapura, ka thënë njëri prej burimeve.
Shtrirja e plotë e ndërhyrjes nuk është ende e qartë, por zyrtarët kanë theksuar se asnjë informacion i klasifikuar nuk është prekur.
“Nuk ka pasur ndërprerje të kapaciteteve kritike apo të sistemeve të klasifikuara”, ka deklaruar për CNN një zyrtar i ODNI-së.
CIA-ja ka refuzuar të komentojë rastin.
Ende nuk dihet se kur ka ndodhur sulmi, kush qëndron pas tij apo nëse ndërhyrja është neutralizuar.
ODNI-ja, e cila mbikëqyr 17 agjenci amerikane të inteligjencës, përfshirë CIA-n, vitet e fundit ka investuar në punën me inteligjencën nga burimet e hapura, e cila shpesh përfshin informacione të paklasifikuara.
Ndërhyrja e dyshuar, për të cilën fillimisht raportoi gazeta The New York Times, është incidenti i fundit në një varg sulmesh kibernetike dhe ndërprerjesh teknologjike që kanë shqetësuar institucionet qeveritare dhe sektorin privat në SHBA.






















